TIRANE- Kryetarja e Komisionit te Integrimit Majlinda Bregu, shpreson qe negociatori David McAllister, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, të ndihmojë arritjen e një kompromisi mes mazhorancës dhe opozitës. Në një intervistë për Vizion Plus zonja Bregu shton se bashkë me të, në Tiranë do mbërrijë edhe Fleckestein.

Për situatën e krijuar në vend e për kërkesat e opozitës, Bregu bisedoi personalisht me McAllister, gjatë vizitës së saj pak ditë më parë në Bruksel.

“Besoj se do të jetë shumë mirë edhe vizita e kryetarit te Komisionit te Jashtëm te Parlamentit Europian McAllister.
Nuk kam takuar vetëm atë ne Bruksel, kam takuar edhe shume miq e partnere te tjerë ne komision jo vetëm te Partive Popullore, por sigurisht edhe nga Komisioni e Parlamenti Europian, por edhe nga Këshilli. Dhe le te shpresojmë qe me mbërritjen ne date 25 ne Tirane, se bashku me raporterin për Shqipërinë, Fleckestein, mbase edhe zoti Eduard Kukan do t’u bashkohet, do te shohim se si do te zhvillohen dhe nëse sigurisht do te arrijnë duke respektuar edhe kërkesat e palëve ne arritjen e një kompromisi”, tha ajo ne Vizion Plus.

Por a rrezikon te refuzohet si negociator David McAllister? Bregu thotë se faktori ndërkombëtar është i rëndësishëm për te ndihmuar palët te arrijnë një marrëveshje.

“Te them te drejtën unë nuk mendoj se Shqipëria është ishull dhe as nuk mendoj se ne një proces partneriteti sikurse Shqipëria është duke qenë pjesë e strukturave të NATO-s, njëkohësisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ne kemi luksin që ta shohim veten sikur kemi një forcë për t’i zgjidhur problemet tona, ndërkohë që realisht kemi treguar që kemi më shumë ego sesa dëshirë për të zgjidhur situatat. Për me tepër që besoj shumë se dy nga kërkesat kryesore qe ka opozita sot sikurse është zbatimi i ligjit te dekriminalizimit, por edhe pjesa e dekanabizimit ose pjesa e luftës kundër drogës, sidomos kohet e fundit e muajt e fundit janë në kujdesin edhe të vëmendjes së ndërkombëtareve dhe nuk besoj se janë pak. Prandaj do të ishte shumë mirë që në këtë proces të ruajtjes dhe mbajtjes së partneritetit me këdo që mendon se Shqipëria e meriton kur ka plotësuar të gjitha detyrimet për të qenë vend anëtar i Bashkimit Europian, t’i japim gjithkujt mundësinë edhe kur nuk jemi të zotë vetë siç e kemi treguar për të na ndihmuar, mbase kthjellohemi të gjithë më shumë”,- u shpreh ajo.

Ditën e martë, David McAllister do të mbërrijë në Tiranë dhe faktori ndërkombëtar po punon për të hartuar një dokument, i cili t’u vendoset palëve në tavolinë e të shërbejë për arritjen e një marrëveshje.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: