Gjykata për Krimet e Rënda liroi dje nga paraburgimi Elda Tanushin, 19-vjeçaren e arrestuar si autorë të tentativës së helmimit të vjehrrës së saj. E reja do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimit të nisur ndaj saj, shkruan “Panorama”.

Ajo dyshohet të ketë konsumuar elementë të veprës penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Seanca ndaj të dyshuarës për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në një banesë në Likesh të Shijakut, ku kishte shkuar si nuse 6 muaj më parë, u zhvillua pak minuta para përfundimit të orarit zyrtar në gjykatë, me dyer të mbyllura për publikun.

Elda Tanushi 2

Burime pranë Gjykatës pohuan se 19-vjeçarja është paraqitur në gjendje të rënduar emocionale në sallën e gjyqit. Para gjyqtares Ilirjana Olldashi, 19-vjeçarja ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën, por nga ana tjetër ka pranuar të ketë hedhur një ilaç për insektet në një gotë kosi.

Sipas burimeve, e dyshuara Elda Tanushi ka mohuar të ketë dashur të vrasë vjehrrën e saj.
“Kam hedhur ilaç mizash në një gotë kosi. Unë nuk kisha për qëllim të vrisja vjehrrën”, ka dëshmuar e reja në një deklarim të mbushur me fraza konfuze. Më tej ajo ka theksuar dhe faktin se ishte vjehrri që e kishte ngacmuar seksualisht.

Elda Tanushi me burrin

“Vjehrri më ngacmonte seksualisht, se burri im ishte në Greqi”, është shprehur ajo. Përfaqësuesi i Prokurorisë, Henrik Ligori, i ka kërkuar gjykatës caktimin e një mase “arrest në burg” ndaj Tanushit, e dyshuar për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.

Kundër këtij qëndrimi ka qenë mbrojtësi ligjor i 19-vjeçares, avokati Arben Peci. Avokati i ka kërkuar trupit gjykues një masë më të butë se ajo e kërkuar nga prokurori, duke argumentuar me rrethanat dhe gjendjen sociale në të cilat është ndodhur Elda Tanushi, si dhe fakti që nga veprimet e saj nuk ka pasur asnjë pasojë.

Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtarja Olldashi ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të renë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: