Edicioni i sapo mbyllur në “Seria A” la shumë për të dëshiruar për skuadrën e Interit pasi doli nga të gjitha objektivat duke edhe mos kapur Kupat e Europës. Pavarësisht kësaj, populli zikaltër e do shumë ekipin dhe sipas të dhënave zyrtare për tifozët që kanë qenë të pranishëm në stadium gjatë këtij sezoni, Interi udhëheq renditjen, raportojnë mediat italiane.

Interi “kampion”
Interi ka pasur një “shpërthim” për sa i përket mesatares së tifozëve që kanë qenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “San Siro”. Zikaltrit, me një mesatare prej 46622, zënë vendin e parë për spektatorët e pranishëm në stadium, duke regjistruar një rritje prej 2.4 për qind në krahasim me sezonin 2015/16.

Pozicioni i dytë i përket Milanit, kuqezinjtë kanë koleksionuar një mesatare spektatorësh rreth 40326, me një rritje prej 6.5 për qind duke e krahasuar me sezonin e kaluar. Podiumin e plotëson Juventusi, i cili me një mesatare prej 39936 përmirëson me 3.3 për qind numrin e të pranishëmve në “Juventus Stadium”.

Në top-pesëshe ndodhet Napoli (36601), me një rritje prej 5.6 për qind në krahasim me sezonin e kaluar dhe Roma (32638), me verdhekuqtë që këtë sezon kanë pësuar një rënie prej 7.2 për qind. Ndërkohë, nga ana tjetër, prezenca në stadiume sa vjen dhe po ulet me kalimin e viteve dhe ky është një lajm jo i mirë për Italinë, pasi tregon se nuk ka më interes për ta ndjekur ekipin e zemrës në stadium.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: