TIRANE – Presidenti Bujar Nishani akuzoi mbrëmë mazhorancën se ka goditur tri shtyllat ekzistenciale të shtetit, ku presidenti luan një rol balancues. Në “Tonight Ilva Tare” ai iu referua sistemit të drejtësisë, çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme.

Z.President, a jeni mbi palët për të arritur një marrëveshje?
Në çështjet e marrëveshjeve politike dhe zgjidhjeve politike, kur ato kërkohen, janë palët politike të cilat duhet të orientojnë zgjidhjen politike, duhet të jenë pjesë e saj. Por presidenti mund të jetë i nevojshëm në një moment të caktuar që, duke ushtruar kompetencat e tij, pa dyshim që mund të krijojë lehtësirat e nevojshme që çdo situatë e një ngërçi politik të mos shkarkojë tek jeta institucionale, funksioni i shtetit dhe qytetarët. Ndaj është paraparë dhe në Kushtetutë funksioni i presidentit si balancues i pushteteve dhe institucioneve.
A keni ndonjë koment për raportin e OSBE-së?
Nuk kam asnjë koment. OSBE-ja vetë refuzoi të bëjë komente. E quajti material jozyrtar.
Si i shikoni tentativat për largimin e OSBE-së?
Do të ishte një gabim fatal nëse artikulohet largimi i OSBE-së! Shqipëria nuk mund të bjerë kurrë në standardin e Bjellorusisë.
Cili ishte qëllimi i takimit tuaj me kreun e Kuvendit?
Ka qenë takim i kërkuar nga ana ime në lidhje me shqetësime serioze që unë kam pasur në lidhje me procesin e hartimit të amendimeve kushtetuese dhe me punën e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. Nga shqetësimi që ky komision ka shkelur dhe nuk ka zbatuar vendimin e parlamentit; është një pikë e rëndësishme në vendimin e parlamentit që ky komision e ka injoruar tërësisht. Por edhe për çështje të tjera që kishin të bënin me procedurën e funksionimit të këtij komisioni. Meta pret që unë t’i drejtohem Kuvendit të Shqipërisë, në veçanti grupeve parlamentare në mënyrë zyrtare.
Takimi u lexua ndryshe, pasi erdhi një ditë pas publikimit të letrës së z.Braho…
Është e vërtetë që unë kam marrë një letër nga z.Braho në cilësinë e Komisionit të Sigurisë. Letra i është drejtuar kryeministrit, për dijeni presidentit dhe kreut të Kuvendit. Letra i është drejtuar kryeministrit që të veprojë; unë jam vënë në dijeni për letrën.
Kur e keni marrë letrën?
Letra është marrë ditën e pardjeshme në mesditë, para se të zhvilloja takimin me z.Meta, të cilin e kisha programuar më parë. Këtë letër ua kam adresuar për veprim prokurorisë dhe SHISH-it.
Çfarë thuhet në këtë letër, a ka informacion të klasifikuar?
Kjo letër nuk më është drejtuar dhe unë ua kam nisur institucioneve hetimore. Ndaj, nuk kam të drejtë ta bëj publike, sepse ajo është një çështje që duhet të ndiqet verifikimi, pasi ka elementë letra, në kuptimin institucional, të emrave konkretë të cilat janë pjesë e pretendimeve.
Z.Braho flet për destabilizim të vendit. A ka vërtet vend për shqetësim në këtë rast?
Unë do t’i qëndroj edhe asaj që thashë më lart, që nuk është në tagrin aktual, por as si institucion që nuk i është drejtuar drejtpërdrejt presidentit, nuk kam tagrin për të folur. Nuk besoj se momentalisht kemi ndonjë rrezik për cenimin e integritetit të vendit. Çdo gjë mund të hetohet dhe të zgjidhet.
Nga elementët që keni parë, a ka vend që të thërritet këshilli i Sigurisë Kombëtare?
Po të kishte ndonjë gjë të tillë, të jeni të sigurt se do ta kisha thirrur këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Kur të kthehet në Shqipëri, a do të konsultoheni me kryeministrin?
Nëse e ndjen se duhet të takohet me presidentin, unë jam gati të takohem me kryeministrin.
Letra, kishte të bënte me skandalin e CEZ-it?
Po, kishte.
Sa e thellë është afera e CEZ-it?
Nuk kam informacione të detajuara. Aktualisht ka një iniciativë në parlament për të bërë një hetim të gjithanshëm. Ka një shqetësim të opozitës e qeverisë dhe, përderisa palët kanë pretendimet e tyre, atëherë duhet një hetim ndërkombëtar. Ky hetim do të ishte më profesional dhe më i besueshëm.
Do kërkoni takim me kryeprokurorin dhe kreun e SHISH-it?
Kam kërkuar informacion për këtë çështje. Po, do të takohem këto ditë.
Po flitet kohët e fundit për zgjedhje të parakohshme. Ju, do t’i dekretoni ato nëse ndodh një gjë e tillë?
Presidenti nuk shpall zgjedhje të parakohshme.
Ju keni thënë se po përgjohet jeta juaj private…
Ka prova që po përgjohet jeta ime private. Kanë bërë gabim ata që e kanë marrë përsipër dhe do të përballen me ligjin. Çështja do të hetohet, edhe pse unë e kthej me shumë krenari kokën pas. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një përgjim, dhe ka disa kohë që jam vënë në dijeni. Po bëhen përpjekje për të ndërhyrë në familjen time. Përgjimi po bëhet nga administrata shtetërore, nga punonjës të shtetit shqiptar.
Kush është urdhëruesi? Kush janë urdhëruesit?
Nuk di ta them, por hetimi do ta nxjerrë. Hetimi do nxjerrë urdhëruesit dhe arsyet. Është një çështje shumë serioze.
A janë konsultuar palët me ju për reformën në drejtësi?
Është tentuar që të mbahet larg presidenti për reformën në drejtësi. Kam dëgjuar shumë mashtrime ndaj institucionit të presidentit. Z.Xhafaj ka gënjyer kur ka thënë se presidenti nuk ka dërguar përfaqësuesin e tij. Shumica donte që presidenti të mbahej larg reformës në drejtësi.
Si e konsideroni shkurtimin e mandatit të kryeprokurorit? Është një shantazh?
Pa dyshim! Nëse i ndërpret mandatin kryeprokurorit, është shantazh për mandatin, nuk është dekoratë. Kjo është tentativë e hapur e qeverisë për të marrë nën kontroll Prokurorin e Përgjithshëm. Ndaj besoj se reforma është një lojë politike për të larguar disa njerëz që nuk u binden, me të cilët është e pakënaqur, dhe për të vënë disa njerëz të tjerë.
Si e konsideroni formulën e zgjedhjes së presidentit?
Goditet institucioni i presidentit! Me amendamentet e mazhorancës, presidenti paragjykohet si politik. Nëse duan një model si ai i Haxhi Lleshit, nuk është modeli i duhur, nuk është modeli i balancave. Presidenti betohet në Kushtetutë, bëhet apolitik.
Jua kanë hequr kompetencat si president?
Po ta vini re, presidentit aktual ia kanë hequr kompetencat dhe ia rikthejnë atij të 2017-ës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: