VLORË- Zbulohen të tjera detaje nga mega operacioni i policisë zhvilluar gjatë natës në lagjen Drithas të Llakatundit, vetëm 12 km në periferi të Vlorës.

150 efektivët e policisisë që e rrethuan fshatin këtë të premte, e kanë peshuar sasinë rekord të drogës që është kapur ndonjëherë. Gazetari Enrik Mehmeti raporton për BalkanWeb se pas peshimit të drogës ka rezultuar të jenë më shumë se 15 ton hashash.

trajleri-me-droge-ne-tirane-1

Të njëjtat burime saktësojnë për BalkanWeb, se droga në fjalë mësohet se është ngarkuar në disa trajlera të posaçëm dhe nën shoqërinë e forcave të policisë do të transportohet drejt Tiranës, për ekzaminime të mëtejshme.

Siç shihet edhe në foto, emri i kompanisë që transporton hashashin drejt Tiranës është “SAJMO”. Nuk dihet nëse kjo është e vetmja kompani transportesh në Vlorë, por përafërsia mes emrit të saj dhe të ish-ministrit të Brendshëm është e dukshme. Ta kenë gjetur me kast?!

Përveçse paketohej me qëllim tregtimin, droga përpunohej në 3 banesat e kthyera në kapanone për t’u kthyer në vaj ose në formën e çokollatës.

Kujtojmë se në kuadër të këtij megaoperacioni u arrestuan 9 persona, nga të cilët dy punonjës policie të zonës dhe kryeplaku i fshatit.

TE ARRESTUARIT, EMRAT
1- Inspektor Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 284 e 248 të Kodit Penal.

2- Inspektor Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

3- Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamaj-t), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, arrestuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

4- Balil Gjata, 69 vjeç, banues në fshatin Drithas të Njësisë Administrative Shushicë, Vlorë, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas. Arrestuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
5- Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

6- Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. (Babë e birë, të cilët kishin strehuar lëndën narkotike në banesën e shtetasit Z.A).

7- Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë (I’u gjet sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në banesën e tij).

8- Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. 9- Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë. (Babë e birë, i’u është gjetur një pjesë e lëndës narkotike në banesën e tyre në fshatin Drithas).
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb