Entuziazmi i konsensusit të arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike duket se është bërë shkak që palët të miratojnë me nxitim një ligj kundër televizioneve, që në thelb ka një gafë juridike, e cila sjell pavlefshmërinë e tij.

Në bazë të nenit 84 të Kodit Zgjedhor në fuqi, reklamat e partive politike në fushatë janë me pagesë. Ndryshimi me konsensus i ligjit për partitë politike, duke e përcaktuar se reklamat e partive gjatë fushatës do të transmetohen falas, i ka detyruar PS-në dhe PD-në të ndryshojnë edhe një tjetër ligj, atë për Mediat Audiovizive në Republikës e Shqipërisë.

neni 39

Në ligjin për mediat, në nenin 39, reklamat politike, thuhej se “Gjatë periudhës zgjedhore transmetimi i reklamave politike bëhet në bazë të dispozitave të Kodit Zgjedhor”. Por në Kodin Zgjedhor shkruhet se reklamat janë me pagesë. Për të shmangur këtë përcaktim të nenit 39 të ligjit të mediave, gjatë natës së 22 Majit, PS-PD krahas ndryshimit të ligjit për partitë politike, kanë ndryshuar pikërisht edhe nenin 39 të ligjit të medias, duke përcaktuar që “Gjatë periudhës zgjedhore transmetimi i reklamave politike bëhet sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për partitë politike”.

Neni i ri 39 i ligjit “Për mediat audiovizive”

Një lapsus ky që mesa duket ka ardhur nga nxitimi. Ky ndryshim i nenit 39 tashmë i detyron mediat që për reklamat e partive t’i referohen edhe Kodit zgjedhor, edhe Ligjit për partitë politike.

Problemi qëndron se në Kodin Zgjedhor përcaktohet që reklamat janë me pagesë ndërsa në ligjin e partive politike të ndryshuar e kanë bërë që reklamat e partive transmetohen falas.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është se cilin ligj duhet të zbatojnë mediat kur në ligjin e mediave e kanë shkruar se për reklamat duhet të zbatohet edhe Kodi Zgjedhor edhe ligji i partive? Pritet që mediat do të zgjedhin të zbatojnë Kodin Zgjedhor, sepse është ligj me shumicë të cilësuar dhe prevalon mbi ligjet e thjeshta, ndërsa partitë do të përpiqen të zbatojnë ligjin për partitë politike që të marrin reklamat falas.

Kush do ta fitojë këtë betejë? Sipas juristëve ndryshimi i ligjit për partitë politike, pa ndryshuar edhe dispoziten e Kodit Zgjedhor, e bën atë nul dhe për rrjedhoje të gjithë palët duhet të zbatojnë Kodin Zgjedhor në fuqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb