SHBA– Dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, ka pasur të paktën tre kontakte të mëparshme të pazbuluara me ambasadorin rus në SHBA gjatë dhe pas fushatës për zgjedhjet presidenciale, njoftojnë disa zyrtarë amerikane për agjencinë e lajmeve Reuters. Mes këtyre kontakteve përfshihen edhe dy telefonata mes muajve prill dhe nëntor të vitit të kaluar.

Që në fillim të këtij viti, Kushner është shndërruar në fokus të FBI-së nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë me Kremlinin gjatë fushatës së Trump. Ai u vu në qendër të vëmendjes së FBI-së vitin e kaluar teksa nisën të hetojnë lidhjet e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michal Flynn, me zyrtarë rusë.

Informacionet e reja mbi dy telefonatat, sikurse edhe detaje të tjera të zbuluara nga “Reuters”, hedhin dritë ndaj asaj se kur dhe pse Kushner tërhoqi vëmendjen e FBI-së, ndërsa tregojnë gjithashtu se kontaktet e tij me të dërguarin rus, Sergei Kislyak, ishin më të gjera nga sa ishte në dijeni Shtëpia e Bardhë.

NBC raportoi të enjten se Kushner ishte nën hetimin e FBI-së. FBI refuzoi të jepte komente, ndërsa Ambasada e Rusisë në SHBA tha se është politikë e saj që të mos komentojë rreth kontaktet individuale diplomatike.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu nuk ka reaguar lidhur me këtë çështje. Ndërsa avokatja e Kushnerit tha se Kushner nuk kujton ndonjë bisedë telefonike me Kislyak mes muajve prill dhe nëntor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb