TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë dhe policisë pas rasteve të dhunës të regjistruara ditën e sotme ndaj disa eksponentëve të kësaj force politike. Në një konferencë për mediat, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, ka denoncuar disa raste dhune në Berat, Pukë, Lezhë, e Fushë-Krujë, duke bërë përgjegjës drejtuesit e policisë së shtetit, të cilët sipas tij nuk kanë ndërhyrë për të shmangur këto raste.

Luan Rama ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe të krerëve të policive në Pukë, Berat e Lezhë.

Ai tha se nëse ministri i Brendshëm dhe kryeministri Rama nuk reagon ndaj këtyre rasteve dhe kësaj situate të krijuar, LSI do të jetë e detyruar të mbrojë votën e qytetarëve.

“Këto janë akte të shëmtuara dhune ndaj mbështetësve të LSI. Ditën e sotme persona të armatosur goditen blerim çelën me levë, ndërsa policia aty afër nuk ndërhyri. Banditë të rilindjes sulmuan kryetaren e LSI e të LRI në Pukë, pasditen e sotme, ende nuk janë identifikuar dhe kapur autorët. Situata kriminale është rënduar nga thirrjet e kreut të rilindjes Edi Rama. Kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të shefit të policisë në Pukë, Lezhë Berat dhe të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Nëse nuk merren masa, atëherë në të kundërt mosveprimi në një rast të këtillë përballë këtyre fakteve skandaloze është bashkëfajësi e funksionarëve më të lartë shtetërorë përfshirë këtu kryetarin e Rilindjes. Jemi të detyruar të mbrojmë votën dhe veten pa i kapërcyer kufijtë ligjorë. Socialistët të ndahen nga rastet e dhunës”, tha Luan Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: