TIRANË- Qeveria shqiptare falënderon qeverinë japoneze për dhurimin e 129 makinave të prodhimit më të fundit japonez (Toyota, prodhim i vitit 2016). Kjo dhuratë u mundësua nëpërmjet akordimit të një granti bujar prej 500 milionë YEN, ose 4 milionë USD për qeverinë shqiptare, i cili u miratua përmes nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe me shkëmbim notash më 29 korrik 2015.

Qëllimi i kësaj dhurate bujare është zvogëlimi i ndotjes mjedisore dhe reduktimi i gazrave që shkaktojnë efektin serrë (GHG) nëpërmjet promovimit të makinave të gjeneratës së ardhshme miqësore ndaj mjedisit. Këto makina do të shërbejnë në nxitjen e ndërgjegjësimit të institucioneve shtetërore dhe publikut për përmirësimin e cilësisë dhe performancës mjedisore.

Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti. Projekti do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizimin e shërbimeve mbështetëse administrative për institucionet qeveritare, rritjen e mobilitetit të institucioneve monitoruese dhe zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin e zonave të dëmtuara mjedisore, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit, si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: