“Përpara se Sllovenia të anëtarësohej në Bashkimin Europian dhe në NATO, në parlamentin tonë u firmos një dokument që i detyronte të gjithë palët për të mos e penguar vendin drejt integrimit. Këtë gjë do ta këshilloja edhe për Shqipërinë, pavarësisht se kush është në pushtet apo në opozitë”, shprehet një nga emrat më të njohur të diplomacisë sllovene, Vojko Volk gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News 24.

Duke u ndalur te idetë e bashkimit Shqipëri Kosovë, Volk thekson se skenari më i mirë për bashkimin e dy vendeve është në Bashkimin Europian nuk do të kishin kufij as me njëri-tjetrin dhe as me vendet e tjera të BE-së. “Duke qenë se kam shërbyer në Prishtinë kur Kosova shpalli pavarësinë, për mua zgjidhja më e mirë është forcimi i shtetit të Kosovës dhe do të vijë dita kur Kosova dhe Shqipëria të anëtarësohen në Bashkimin Europian dhe më pas nuk do të ketë me kufij. Dëshiroj ta theksoj se për mua e ardhmja e Shqiptarëve është në Bashkimin Europian, një union ku nuk ekzistojnë kufijtë, ashtu siç jetoj unë me vëllezërit slloven në Itali apo me sllovenët në Austri. Pra unë mund të shkoj të shikoj një film apo një opera në Trieste dhe të kthehem në Slloveni pa asnjë problem. Kjo është e ardhmja. Ju keni autostradën nga Shqipëria në Kosovë. Do të doja që autostrada të shtrihet deri në Nish që edhe qytetarët nga jugu i Serbisë apo qytete të tjera të vijnë në plazhet tuaja të bukura”, deklaron Volk.

I pyetur rreth problemeve të pazgjidhura që kanë vendet e Ballkanit, Volk shprehet se nëse nuk zgjidhen tërësisht, të paktën t’i trajtojnë ato me seriozitet dhe pjekuri politike. “Nuk duhen përkeqësuar këto probleme sepse perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian është e mire dhe ofron zgjidhjen e këtyre problemeve. Nëse i përmbahemi motos se ku ka vullnet ka zgjidhje atëherë do ta gjeni zgjidhjen. Problemi është kur humbisni kaq shumë kohë me çështjet e historisë ose paragjykimeve atëherë mund të humbisni të ardhmen. Vazhdoni qe t’i zgjidhni këto probleme çdo ditë dhe jo të gjitha njëherësh. Bashkimi Europian është projekti i vërtetë. Projekti i vetëm me vlerë për Ballkanin”, deklaron diplomati Slloven Vojko Volk.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb