TIRANË- “Muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për nisjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Shqipëria duhet të tregojë se mund të arrijë rezultate konkrete, në të gjitha fushat ku është e angazhuar dhe do të veçoja luftën ndaj krimit të organizuar, duke qenë kjo një temë shumë delikate për shumë vende evropiane, luftën ndaj korrupsionit, si dhe duhet të tregojë se reforma e drejtësisë, nga letrat ku është shkruar të transferohet në sallat e gjykatave. Kjo besoj se është sfida e vetting-ut që Shqipëria ka ende përpara” deklaroi ambasadori i republikës së Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24.
“Çështja e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, është një nga pikat ku është përqendruar vëmendja, jo vetëm e Brukselit, por edhe e vendeve anëtare, që kanë shqetësimin se krimi i organizuar mund të mbërrijë tek ata, prandaj vendosin pengesa ose kushte për hapjen e negociatave. Mendoj se është e drejtë. Kemi shenja të qarta se kjo qeveri do të luftojë krimin. Kemi rezultate domethënëse, por duhet bërë më shumë. Muajt e ardhshëm mund të jenë jetikë. Por dua të theksoj diçka. Për Italinë kjo përbën prioritet ashtu si edhe për Shqipërinë” deklaroi ambasadori Italian në vendin tonë.
I pyetur nëse si ambasador i një vendi mik dhe aleat, e ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me krimin e organizuar gjatë takimeve me drejtuesit Shqiptarë, ambasadori Cutillo deklaron se këtë e ka bërë disa herë.
“Po, e kam prekur disa herë këtë temë me Ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. Duhet të them se, si rrjedhojë e bashkëpunimit mes dy forcave të policisë të dy vendeve, kemi pasur mundësi të verifikojmë se ka pasur një ndryshim, në këto muajt e fundit, në vullnetin për të luftuar krimin. E kemi falënderuar Ministrin Xhafaj për këtë përpjekje, por gjithashtu kemi theksuar se duhet bërë më shumë dhe Italia është natyrisht e gatshme të thellojë bashkëpunimin” thekson ambasadori Italian.
Sipas ambasadorit Cutillo, kriminaliteti ka shumë aspekte dhe të gjitha duhen luftuar. “Një aspekt, që sigurisht na prek nga afër, është trafiku i drogës e në veçanti i drogës së prodhuar në Shqipëri, kanabisi. Këtë vit u realizua për herë të gjashtë fushata e fluturimeve monitoruese nga avionët e Guardia di Finanza në Shqipëri për të gjetur parcelat e kultivuara. Theksoj se këtë vit, për herë të parë patëm edhe kontributin financiar të Bashkimit Evropian në këtë projekt. Kjo na lejoi të realizojmë më shumë fluturime, për të pasur pra një fushatë më të plotë. Rezultatet do të shpallen shumë shpejt, këto ditë po përpunohen të dhënat e fundit, por mund t’ju them paraprakisht se janë rezultate shumë pozitive. Për këtë e kam përgëzuar Ministrin Xhafaj, por njëkohësisht kemi rënë dakord për të mos e quajtur përfundimtar këtë rezultat. Vitin e ardhshëm fushata e fluturimeve do të realizohet sërish, madje falë financimeve të Bashkimit Evropian do të jetë edhe më intensive, për ta luftuar në mënyrë sa më efikase këtë fenomen. Sekuestrimet e drogës mes Italisë dhe Shqipërisë janë rritur ndjeshëm në 2016 dhe akoma më shumë në 2017. Çfarë na tregon kjo? Njëra anë është pozitive, sepse tregon se kontrollet janë më efikase, pra kontrollet e forcave të rendit në Shqipëri dhe Itali. Theksoj edhe rolin e misionit evropian Frontex, që patrullon edhe me avionë Detin Jon dhe Adriatikun jugor. Pra kontrollet janë përmirësuar dhe kjo mund të shpjegojë pse janë shtuar sekuestrimet. Nga ana tjetër, kjo tregon se është rritur aktiviteti kriminal dhe se duhet të bëjmë kujdes dhe të luftojmë fenomenin, pa menduar për asnjë çast se kemi fituar”, deklaroi ambasadori Italian në Shqipëri Alberto Cutillo për News 24.
(m.k/BalkanWeb)