TIRANE– Zonat e mbrojtura nuk duhet të jenë territore të rrethuara, por duhet të jenë të hapura për publikun dhe t’i shërbejnë ekonomive vendore. Në kuadër të Ditës Europiane të Parqeve, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i drejtoi këtë mesazh qytetarëve nga Mali i Dajtit, ku inauguroi disa investime me rëndësi për parkun dhe vizitorët e tij.

Sipas Kokës, Shqipëria ka potenciale për të ofruar shërbime dhe cilësi për qetësinë e qytetarëve që ata të mos e kërkojnë atë jashtë kufirit qindra kilometra larg.

“Filozofia jonë nuk është që një zonë apo park kombëtar të qëndrojë thjesht dhe vetëm i rrethuar si një objekt i pavizitueshëm, por që të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe t’u shërbejë qyterarëve shqiptarë dhe turistëve të huaj. Nuk mund të vazhdojmë me të njëjtën filozofi ku shumë qytetarë shqiptarë duhet të udhëtojnë qindra mijëra km larg në vende të huaja për të pushuar . Ne kemi të gjitha mundësitë, të gjitha resurset, kemi njerëz të mrekullueshëm të cilët mund të ofrojnë shërbime të mrekullueshme qoftë për të pushuar apo për t’u argëtuar dhe aq më shumë për t’i parë fëmijët të lumtur dhe ky është misioni ynë. Nuk mundemi dhe nuk do ta lejojmë kurrë që nesër të jemi të keqgjykuar nga ky brez të cilin jemi të lumtur që e kemi”, përfundoi mesazhin e tij ministri Koka.

Shqipëria ka rreth 15 parqe kombëtare të shpallura në më shumë se 50 vite, si Parku Kombëtar i Dajtit, që është shpallur i tillë në vitin 1966. Parqet janë mushkëritë jo vetëm të qyteteve të mëdha urbane, por edhe të vetë zonave ku mund të argëtohen qytetarët.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb