NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Teksa ka nderuar sakrificën e atyre që ishin pjesë e Luftës Nacional Çlirimtare, në ditën e kujtesës europiane të kësaj rezistence, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kujtuar edhe misionin që i takon sot shoqërisë shqiptare, të mos lejojë manipulimin e kësaj pjese të rëndësishme të historisë.

“Ne kemi sot një mision të rëndësishëm që këtë histori të mos e lëmë të manipulohet për qëllime individuale apo grupe individësh, qoftë kjo e pushteteve apo ideologjive politike. Kemi një mision që të nderojmë përpjekjen, të ruajmë kujtesën e sakrificës dhe mbrojmë fortë vizionin dhe objektivat e atyre që vunë gjithçka në përballje me pushtuesin”, tha Nishani.

Duke iu drejtuar brezit të ri kreu i Republikës ka përcjellë mesazhin se, edhe sot sakrificat në emër të kombit janë nevojshme për të ruajtur identitetin kombëtar.

“Ne kemi pasur gjithmonë heronj dhe jemi me fat që kemi pasur heronj. Ky vend ka pasur gjithmonë dëshmorë sa herë është kërkuar të jepet sakrifica sublime dhe ne jemi të obliguar të mos i harrojmë dhe ti nderojmë ata. Por ky vend ka nevojë gjithmonë për zemër të fortë, mendje të mençur dhe shpirtra të mëdhenj dhe të hapur në mënyrë që sakrificat e bëra ndër shekuj në ruajtjen e dinjitetit, dimensionit të lirisë, t’i konsiderojmë si përpjekje në shërbim të një Shqipëri më të mirë. Çdo gjeneratë, çdo brez ka detyrat dhe përgjegjësitë e tij dhe lind e nevojshme të ofrojë sakrificat e tij. Sot gjeneratës sonë i kërkohen sakrifica të tjera, të qëndrojmë fort në ruajtje të identitetit kombëtar, trashëgimisë kulturore”, u shpreh Nishani.

Në këtë ditë të shënuar për Europën, Presidenti i Republikës ka nderuar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Liri Belishovën, Llazar Fundon, Edip Ohrin dhe Hamit Keçin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: