Librat do të ktheheshin në të vetmin ngushëllim për të gjatë 16 viteve e 3 muajve burg. Gjeneral Rrahman Parllaku do të kalonte 11 muaj në hetuesi bashkë me të tjerë puçistë të ushtrisë, si Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Më tej qelia. Pikërisht aty gjenerali do të mbahej në këmbë përmes leximeve. Gjatë viteve të dënimit, Parllaku ka mbajtur një fletore shënimesh për të 96 librat që ka lexuar në burg. Letërsi botërore dhe shqiptare, mbi të cilët mbante shënime të shkurtra. Edhe pse sot vlerësimet e tij mund të duken pak skematike e të ndikuara edhe nga metoda e kritikës së kohës, ato janë një lëndë interesante për një studim mbi letërsinë e lexuar në burgjet e diktaturës. Përmes një shkrimi për gazetën “Panorama”, Halil Rama sjell jo vetëm përmbajtjen e ditarit të librave, mbajtur në qeli, por edhe copëra kujtimesh nga ajo periudhë tmerri, cilët ishin hetuesit e oficerët, ata “të vijës së partisë” dhe ata njerëzorët, që thyenin rregullat me një gjest sado të vogël humanizmi. Si iu vu leximit dhe ku i siguronte librat.

HALIL RAMA
Gjatë 17 viteve të vuajtjes së dënimit në burgjet e diktaturës, njeriulegjendë në kufirin e dy kohëve, lexoi dhe konspektoi 96 vepra të autorëve më të njohur të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Brenda kalvarit të vuajtjeve në 16 vite, 3 muaj e një ditë, të kaluara në burgjet e diktaturës, bën pjesë dhe një fletore shënimesh, si “pasuri e rrallë” e Heroi të Popullit dhe Nderit të Kombit, gjenerallejtënant Rrahman Parllaku. Një fletore aritmetike e kohës së largët, e zverdhur nga pesha e viteve, e kodifikuar “Shënime nga librat e lexuara në vitet e vuajtjes të dënimit në burg, 16 dhjetor 1974 – 17 mars 1991”, brenda 32 faqeve të shfrytëzuara maksimalisht, rresht për rresht, bart vlera të veçanta, të lidhura pazgjidhshmërisht me formimin e Heroit – legjendë, në kufirin e dy kohëve. Është kjo fletore dëshmi e aftësisë së tij për të mos e prishur miqësinë me librin edhe në kushtet e inkuizicionit më të egër. Njëherazi dhe e njeriut, që dhe në ato kushte ka ditur të përveçojë për të lexuar ata libra që mund të ndikonin në formimin dhe forcimin e karakterit dhe të identitetit të tij. Duket qartazi kjo te “ditari i mbajtur”, për çdo libër të lexuar, ku në pak rreshta ka shënuar: autorin, temën, idenë dhe veprimet e personazheve”. Gjejmë në këto shënime, jo vetëm një lexues të thjeshtë, por intelektualin erudit që arrin të konkludojë për vlerat dhe mangësitë e çdo vepre. E bën këtë, jo vetëm për autorë shqiptarë, por dhe për kolosë të letërsisë botërore. Le të fillojmë me “Ne Zhelianët” të autorit Saverino Strati, ndër librat e parë që Parllaku ka lexuar në burg, në përfundim të të cilit ka shënuar se: “Autori përshkruan në roman, gjendjen e rëndë të popullit në Italinë e Jugut, shtypjen, shfrytëzimin që u bëhet masave punonjëse. Këtë gjendje e rëndon shumë mërgimi, që i detyron njerëzit të shpërndahen në vende të ndryshme të botës, të ndarë nga familja dhe bëjnë punët më të rënda, përveçse ndjejnë edhe përbuzjen e padronëve e vendasve”. Është kështu, në pak rreshta një roman i tërë, i një prej autorëve më të zëshëm…. Kësisoj, Rr.Parllaku i përmbahet besnikërisht filozofisë së Platonit, sipas të cilit “Ngadhënjimi i parë dhe i madh është ngadhënjimi i vetvetes. Të jesh i mposhtur nga ana e vetvetes është gjëja më e turpshme dhe më e mjerueshme”. Ai nuk u mposht nga torturat më mizore…

nishani-rahman-parllaku

TË LEXOSH LIBRA PASI KE PROVUAR TORTURAT MË MIZORE TË HETUESISË SPECIALE
Libri ia mbajti të gjallë kujtesën dhe e ndihmoi të ruante freskinë e mendimit e veprimit edhe pasi kishte provuar torturat më mizore të hetuesisë Speciale. Në formimin e Rr.Parllakut që kishte marrë shkëlqyeshëm dy klasë të fillores brenda një viti shkollor dhe që po me atë zell për dijen e arsimimin kishte mbaruar më pas edhe Akademinë Ushtarake në Moskë, libri do të kishte ndikim të veçantë. Për Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon dhe Rrahman Parllakun u përdor kriter i paparë deri në atë kohë. U arrestuan në sallë, me hekura në duar e helmeta në kokë dhe me makina BÇ u transportuan menjëherë në burgun e sigurisë së lartë. Hetimi zgjati 11 muaj. Përveç futjes në qeli, i futën në kafaze hekuri brenda qelisë. Në kafaz flinin, hanin dhe hetoheshin. Për ruajtjen e tyre ishte caktuar një komandë dhe një trupë e veçantë gardianësh që komandohej nga Idriz Seiti (ish-shef sigurimi), i cili kishte dalë në pension, por ishte thirrur për këtë detyrë. Për ironi të fatit edhe Idrizin, pas vdekjes së Mehmet Shehut, e dënuan me burg. Ishin 4 oficerë sigurimi në 24 orë që i ruanin, i përgjonin, dhe që e kishin të ndaluar të flisnin sepse kontrolloheshin edhe ata nga frëngjitë e dyerve të qelive. Edhe kur i nxirrnin për nevoja vetjake, nuk ua hiqnin hekurat nga duart dhe helmetën nga koka. Policët u rrinin mbi kokë. Por kjo ishte e vështirë edhe për ta. Pas dënimit me vdekje, Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon i pushkatuan në Lanabregas të Tiranës dhe i varrosën në Vranisht të Vlorës, natën, pa dijeninë e askujt… Pa varr, pa nam, pa nishan… A ishte i nevojshëm ky hetim, kur dënimin e kishte përcaktuar kryeprokurori Hoxha që në mbledhjen e Plenumit të KQ të PPSH?! Por ja që edhe shteti komunist ka ligje, ka formalizëm, ka shtet!!! Këtë e vërtetojnë edhe prokurori i çështjes, Murat Kamani, dhe hetuesi Piro Dautaj. Në një çast hetimi, Piro Dautaj e pyeti Parllakun: “Akoma beson se do të mbrohesh kur akuzën dhe dënimin e ka përcaktuar ai lart?”. “Përse të mos besoj tek drejtësia?!”, iu përgjigj Parllaku. “Sepse ata që të përjashtuan nga partia, të dhanë edhe dënimin që në atë çast”, vazhdoi Piro. “Dënimin tënd e kanë vendosur ata 100 burrat e Plenumit të KQ të PPSH. Ne po bëjmë një formalitet këtu”. Po kështu deklaroi edhe Murat Kamani, prokurori i çështjes.

GREVA E URISË DHE VIZITA MJEKËSORE
Në ditët e vuajtjes, ndodhi që Rrahmani u fut në grevë urie, sepse komanda e burgut nuk ia pranonte kërkesën për t’u trajtuar si diabetik dhe ta lejonte për të bërë lëvizje apo për të lexuar ndonjë libër. Erdhi për ta vizituar dr. Hektor Peçi. Ai kishte marrë me vete edhe kartelën mjekë- sore që vërtetonte faktin se Parllaku vuante në fakt nga diabeti dhe ishte mjekuar deri në momentin e futjes në burg. Pas vizitës së mjekut, u trajtua si diabetik dhe u lejua të bënte lëvizje për rreth 15 minuta, sigurisht me 2 roje anash. Dieta në burg, sidomos gjatë hetuesisë, u zbatua fare pak. Mbas dënimit, me ndihmën e familjarëve, Parllaku e respektoi këtë dietë, gjë që bëri të mundur të mbijetojë pas 16 vjet e 3 muaj burgu.

NJË PORTOKALL NË QELI NË NATËN E VITIT TË RI
Ishte nata e ndërrimit të viteve 1974-1975. Rrahmani kishte 15 ditë brenda kafazit të hekurt, brenda qelisë. Në mesnatë u bë ndërresa e shërbimit të oficerit që bënte roje në qelinë e tij. Oficeri që mori shërbimin, siç do ta mësonte më vonë Parllaku, quhej Dilaver Muhametaj, nga fshati Kajcë i Dishnicës. U sigurua se frëngjia e qelisë që kontrollonte edhe rojën brenda, ishte e mbyllur. U ul në karrigen e fiksuar të tij dhe filloi të qëronte një portokall. Parllaku u ndje i ofenduar nga ai veprim dhe mendja i shkoi te njerëzit e dashur të tij. Çfarë bëhej me ta vallë në këtë natë të ndërrimit të viteve? Parllaku tregon: “Dilaveri qëroi portokallin dhe ma drejtoi mua. Mos lë asnjë gjurmë apo ndonjë bërthamë në shtresa që t’i shohin ata të mëngjesit, më porositi ai”. Iu mbush zemra dhe bindi veten se kishte njerëz të mirë akoma, madje edhe në atë vend ferri. Kujtimet i vijnë radhazi. Ai tregon edhe për një rast tjetër humanizmi nga rojet që shërbenin në burg: “Kisha 10 ditë në kafaz brenda qelisë. Më nxorën në banjo për nevoja vetjake. I kërkova oficerit shoqërues që të më lejonte të laja këmbët. Ishte dhjetor. Ai më lejoi. Uji ishte i ftohtë akull, por unë kisha nevojë për të, sepse po më kalbeshin këmbët. U futa në qeli me këmbët akull. Oficeri më afroi furnelën e tij për të tharë këmbët. Në këtë moment hyri komandanti i tyre, Idriz Seiti, që i bërtiti: ‘Ç’bën more, ruan apo ngroh të burgosurit që kanë tradhtuar partinë dhe Enver Hoxhën?!’. Oficeri iu përgjigj: ‘Bëj detyrën, por jam edhe njeri’. Këtij oficeri nuk ia mësova dot emrin dhe nuk e kam takuar më që ta falënderoj thellë nga zemra. Me siguri ky veprim duhet t’i kishte kushtuar shumë, sepse të nesërmen nuk e pashë më”. Mirënjohje Rrahman Parllaku ka edhe për oficerin Hiqmet Meçe. “Hiqmeti më trajtonte mjaft mirë. Sa herë merrte shërbimin në mesnatë, më sillte një kaush me kafe dhe sheqer, që të mos ia harroja shijen kafesë. Kur merrte shërbimin gjatë ditës, bënte pastrimin e qelisë. Një herë kur e gjeti duke pastruar komandanti Idriz Seiti dhe e qortoi, ai iu përgjigj se e pastronte për vete, për të mbajtur pastërti në vendin e shërbimit. Hiqmet Meçen dhe Dilaver Muhametin, Rrahmani i ka takuar edhe tani pas lirimit nga burgu, duke u shprehur falënderime.

SI I GJENTE LIBRAT NË BURG
Faktet e mësipërme janë pjesë e kalvarit në ato vite të tmerrshme të hetuesisë speciale. Rrahman Parllaku, që nuk u mposht para hetuesve specialë të diktaturës, pas “daljes” nga inkuizicioni, një ditë i thotë intendentit të burgut: -A mund të gjej ndonjë libër me të cilin të kaloj kohën? -Janë ca libra në një magazinë, por duhen sistemuar më parë, i thotë zyrtari i burgut. -Nëse më lejoni, këtë mund ta bëj unë, – vijon gjenerali që për afro 30 vjet kishte drejtuar ushtrinë shqiptare, si ishzëvendësministër i Mbrojtjes, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm e disa herë drejtor i drejtorive të rëndësishme në dikasterin e Mbrojtjes, tashmë i dënuar me 25 vjet heqje lirie. Dhe falë “zemërgjerësisë” së intendentit, gjenerali, i cili që në fëmijërinë e tij kishte mësuar “Lahutën e malcisë” të Fishtës (edhe sot në moshën 98-vjeçare e di atë përmendësh), iu përvesh punës për të përzgjedhur librat e lënë në mëshirë të fatit në një nga skutat e errëta të burgut. Nga ajo kohë e largët, në Fletoren e tij të rrallë gjejmë shënime për romanin “Shembja e idhujve” të Skënder Drinit, “Jongbllandët të Xhon O Kilens”, Përmbledhjen me libra të Çajupit, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” të Koli Xoxit, “Tokë e papushtueshme” të Skënder Jasës, “Kikoja” (tregim autobiografik) të Franko Piros, “Prova e zjarrit” të Sabri Godos, e dhjetëra romane të tjerë të asaj periudhe. Me vizionin e largpamësinë e intelektualit të formuar në zjarrin e luftës për liri dhe të mirëarsimuar deri në Akademitë ushtarake në ishBashkimin Sovjetik, pa e ditur se një ditë kjo fletore do të shërbente si ekzemplar i rrallë për studiuesit e letërsisë, do të hidhte në të, deri edhe elementë të spikatur të kritikës letrare. Kështu, nëse tregimin autobiografik “Kikoja” e konsideron realist, pasi “në të përshkruhet jeta e shtresave të varfra, të cilat në kushtet e shtypjes kanë filluar të zgjohen, kërkojnë të organizohen e të luftojnë, ata mashtrohen nga socialistët e revizionistët, që janë në shërbim të borgjezisë”, për romanin “Prova e zjarrit” të Sabri Godos, lexuesi Parllaku, në kushtet e burgut, shprehet se “ky roman nuk e ka nivelin e veprave të tjera të këtij shkrimtari!”.

Më tej në këtë fletore shënimesh të mbajtura nga gjeneral Parllaku gjatë viteve të burgut për kryevepra (shënime këto që përbëjnë një thesar të rrallë), gjejmë vlerësime objektive për kryevepra të letërsisë botërore, si për romanin “Te shpella prapa palmave” të Anh Duk; “Beteja vazhdon” të Stiv Nelson; “Shoqja Anjezë” të Renato Vigano; “E kuqja dhe e zeza” të Stendal; “Dita, bijë njeriu” të Martin Andersen Nikse; “Shigjetat e zeza” të Robert Lui Stivenson; “Evgjeni Grande” e “Fshatarët” të Honore de Balzak, si dhe për dhjetëra kryevepra të tjera botërore… Por gjenerali, ish-deputet i tetë legjislaturave të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, ku që në të parën pati fatin të ulej në një tavolinë me Sejfulla Malëshovën e Aleksandër Xhuvanin dhe që kishte përfituar nga përvoja e tyre edhe për punën me librin, kurrsesi nuk mund të anashkalonte autorët shqiptarë. Kështu, gjatë viteve të ferrit në burgun famëkeq të Burrelit, ai lexoi me interes të jashtëzakonshëm dhe konspektoi romanet: “Belxhiku që këndonte vençe” të Shevqet Musarajt, “Njeriu me top” të Dritëro Agollit; “Lulja e kripës” të Jakov Xoxes”, “Zëri i largët i kasolles” të Frederik Reshpes, “Do të jetojmë ndryshe” të Dhimitër Xhuvanit, “Përballimi” të Teodor Laços, “Ditë me furtunë të Resul Bedos, “Dueli i madh” të Ali Abdihoxhës e disa romane të tjerë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: