Në qytetin e Prizrenit, po zhvillohet që prej 5 gushtit edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest, i cili ka zgjuar interesin e artdashësve të kinemasë.

Në festivalin me temën “E ardhmja”, përfaqësohen 50 shtete dhe deri në 12 gusht do të shfaqen, 250 filma, nga të cilët 102 filma janë në garë në gjashtë kategori. Ndërsa në programin kombëtar që ka nisur në 7 dhe do të përfundojë në 10 gusht do të shfaqen për herë të parë në Dokufest gjithsej 9 premiera.

Sipas organizatorëve, ka një pjesëmarrje të gjerë të filmave të regjisorëve nga Kosova e Shqipëria, por edhe të regjisorëve shqiptarë, që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Filmat po shfaqen në 9 kinema të hapura verore, shumica e të cilave janë ngritur mbi lumin “Lumbardh”.

Mbrëmjen e djeshme për artdashësit e kinemasë u shfaqën katër filma të metrazhit të shkurtër të kategorisë kombëtare; ‘Fatalist’ me regjisor Edin Alija, ‘Lulet Plastike’ me regjisor Ylljet Aliçka, ‘Bon Appetit’ me regji të Erenik Beqiri dhe ‘Meeting’ me regjisor Durim Kryeziut.

Ndërsa mbrëmjen e sotme dhe nesër në Dokufest do të shfaqet premiera e filmit “The Remigrant”. Një film me regji nga Astrit Alihajdaraj, me aktorët: Leze Qena, Ilire Vinca Celaj, Veton Osmani, Florist Bajgora . Filmi tregon historinë e Bashkimit (50 vjeç) dhe Besnikut (17 vjeç). Ata kanë shumë të përbashkëta. Të dyve u është dashur të braktisin shtëpinë në moshë të re.

Babai u desh të arratiset në Austri për shkak të luftës në Kosovë kurse biri i tij duhet të kthehet në Kosovë me kërkesën e të atit. Kthimi në Kosovë pas shtatëmbëdhjetë vitesh në Vjenë është një test i vështirë pjekurie për të dy. Dëshira e madhe për vendin e fëmijërisë i lidh dhe i ndan si babën ashtu edhe të birin.

Gjatë ditëve të Dokufest përveç filmave të shfaqur janë organizuar edhe panele, muzikë, workshope, etj.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit edhe në një kryeqytet filmi çdo verë. Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016./ata/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: