Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në Prizren u shpallën mbrëmë fituesit e edicionit të 16-të gjatë ceremonisë përmbyllëse në kinemanë e qytetit, “Lumbardhi”.

Ndarja e çmimeve, e ndjekur nga diskutime të jurisë, vuri në fokus 102 filma, përfaqësues të 50 shteteve gjatë konkurrimit për 6 kategori të ndryshme, duke përfshirë dhe çmimin e audiencës.
Aktivitetet e festivalit 9-ditor përfshinin shfaqjen e 254 filmave nga 63 shtete, punëtori, diskutime, debate, masterclass-e, ekspozita dhe një seri performancash live të njohura si DokuNights, të cilat në vetvete mikpritën yje botërorë në skenën “Andrra”, si Princess Nokia dhe shumë artistë të tjerë të njohur.

“Prizreni u shndërrua në një qytet të zhytur thellësisht në magjinë e kinemasë, kulturës dhe shpresës për të ardhmen”, u shprehën organizatorët e festivalit që këtë vit kishte temën “E ardhmja”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 16-të u hap në mbrëmjen e 4 gushtit për të vijuar deri në 12 gusht.

“Nga një numër prej rreth 2000 filmash u përzgjodhën 102 për kategori garuese dhe rreth 150 filma për mbi 15 programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkonin edhe temës së këtij edicioni”, theksuan në DokuFest.

Organizatorët e DokuFest janë shprehur shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e filmave të regjisorëve nga Shqipëria dhe Kosova si dhe me cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivale tjera, europiane dhe rajonale.

Programi kombëtar kishte gjithësej 9 premiera që shfaqeshin për herë të parë në DokuFest nga 7 deri në 10 gusht.

DokuFest në këtë edicion kishte një bashkëpunim të veçantë me Marubin-Muzeun Ndërkombëtar të Fotografisë në Shkodër, duke sjellë një ekspozitë, dy punëtori dhe një video-mapping nga koleksioni i Marubit.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin në jug të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb