Më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha mbajti një fjalim të rëndësishëm. Kjo njihet si datë e lindjes së lëvizjes së “Fletë-rrufesë”. Motoja e saj ishte thirrja apo porosia e Enver Hoxhës: “Cilido me zë të lartë dhe me gërma të mëdha të shkruajë se ç’mendon për punën dhe për njerëzit”, – raporton “BalkanWeb”. Pas kësaj, fletërrufeja u përhap me shpejtësi si një element i ri në “shtypin e murit”.

Kjo gjeti një jehonë të gjerë dhe u kthye në një mjet të fuqishëm luftarak në anën e punonjësve për të fshikulluar çdo të metë e dobësi që pengonte revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit.

Kudo, në vende pune, në fshatra, në shkolla e spitale, po sidomos në qytete, shihje të afishuara fletë-rrufe të ndryshme në përmbajtje dhe në formë, të shkruara me gërma të mëdha, të dukshme, me ngjyra të theksuara, korsive, me data dhe afate. Stendat për fletë-rrufetë u ngritën kudo. Ato i bënin një ose më shumë njerëz. Iu drejtoheshin një njeriu apo një grupi njerëzish. Ato ngriheshin për probleme të ndryshme. Në përgjithësi ato ngriheshin për probleme ekonomike, politike, shoqërore, kulturore, ideologjike, por edhe personale.

Subjekti që kritikohej, normalisht si rregull jepte përgjigje. Në rast të kundërt, fletë-rrufeja përsëritej disa herë.

Një prej të “fshikulluarve” me fletë-rrufe në vitin 1972 ka qenë edhe kolosi i letrave shqipe, Lasgush Poradeci.

Referuar dokumentit që publikohet për herë të parë nga e bija e tij, Maria Poradeci, shkrimtari “goditej” për shkak të një libri që prej një kohe të gjatë nuk po e kthente në Bibliotekën Kombëtare. Madje paralajmërohej duke i kujtuar edhe dënimin në bazë të dispozitave të Kodit Penal.

“BalkanWeb” zbardh më poshtë tekstin e plotë të kësaj fletë rrufeje të afishuar nga Biblioteka Kombëtare:

FLETË RRUFE
Shokut Llazar Gusho

Pse ju shok mbani prej një kohe të gjatë pa dorëzuar librin e Bibliotekës Kombëtare?

Libri që ju mbani jashtë afatit të caktuar e presin ta lexojnë dhjetra e dhjetra qytetarë të tjerë

Pse ju bëheni pengesë për përhapjen dhe leximin e librit?

A nuk është ky një qëndrim i pahijshëm dhe shkelje e disiplinës proletare?

A e dini se veprime të tilla i lenë shteg dëmtimit dhe shpërdorimit të fondit shtetëror të librit?

A e keni parasysh se përvetësimi, shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i librit dënohet si krim në bazë të dispozitave të Kodit Penal?

Korrigjohuni dhe ktheni menjëherë librin në bibliotekë brenda datës 25/2/72
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb