Koordinatori i Politikave të Territorit në Partinë Demokratike dhe anëtar i kryesisë në PD, Besnik Aliaj pas humbjes së thellë të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit dhe humbjes edhe të garës për deputet në Gjirokastër ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

Ka qenë vetë Aliaj përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook”, që e ka pohuar duke shkruar se largohet nga cdo funksion i tij në PD dhe ia lë radhën më të zotëve që të japin kontributin e tyre.

Besnik Aliaj

“Miq pas rreth 2 viteve si koordinator i politikave te territorit ne PD dhe pas zgjedhjeve te fundit ku u perpoqa te jap kontributin tim modest, largohem nga cdo “funksion” imi ne PD dhe ja le rradhen te tjereve me te zote qe te kontribuojne.
Do vijoj nderkohe te jem pjese e PD si antar i thjeshte. Gjithe te mirat per ju.
Respekt per zgjedhjen tuaj si per ata qe me kane mbeshtetur dhe simpatizuar, edhe per ata qe me ka e keqkuptuar ose sulmuar. Ne cdo rast kjo bote ka vend per te gjithe!”, shkruan Aliaj.

Por në një status të mëpasshëm Aliaj jep edhe mendimin për zgjidhjen e situatës. Ai thotë se qelbi duhet pastruar dhe tregon se si duhet drejtuar PD për këto 6 muaj, duke dhënë një zgjidhje konkrete. “Leksioni i madh është bashkëpunimi!”, thotë ai.

“Ende shpresoj te arsyeja! Unë ende shpresoj tek arsyeja se nesër gjërat mund të jenë më mirë! Logjika ‘humbësit të ikin’ qartësisht nuk funksionoi për PD! Leksioni i madh është bashkëpunimi!
Në këto rrethana tepër specifike unë ende besoj tek një udhëheqje kolegjiale e PD-së për 6 muaj, me 5 figura të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të të gjithë grupimeve e fraksioneve në PD, të cilët nuk do të kandidojnë vetë për asnjë post në PD! Kjo do të ndihmonte restaurimin e besimit mes vetes për të cilin kemi aq shumë nevojë sot!
Objektivi: organizimi i një fushate sa më transparente, unifikuese, pa mllefe dhe model demokracie të brendshme në parti nga poshtë lart!
Garë e ndershme, kohë dhe mundësi e mjaftueshme për të shpalosur e debatuar programin, idetë dhe veten për secilin kandidat! Asnjë preferencë asnjë paragjykim! Mendje e hapur! Zgjedhje me parimin një anëtar një votë. Referim strikt statutit në fuqi!
Kjo është e vetmja rruge të tejkalojmë çarjet e të rifitojmë besimin tek njeri tjetri dhe publiku. Kjo është e vetmja dhe e fundit rrugë për PD! Penicilinat nuk i bëjnë askujt më derman! Ulërimat veç prishin pune! Është koha e triumfit të të vërtetave dhe arsyes! E vërteta duhet përballur nga të gjithë! Jo me qërim hesapesh por me dinjitet, argument dhe etike! Qelbi duhet pastruar pa frikë!
Ndryshe dëmi do të jete i parikuperueshëm, dhe e keqja do të triumfojë përfundimisht në këtë vend! PD ka tani përgjegjësi historike! Ajo ka vetëm dy zgjedhje: ose të bëhet pjesë e së keqes, ose duhet ta përballojë atë, por pa hile, e fortë, e shëndetshme dhe realisht demokratike, për të mos i dhënë alibinë finale triumfit të së keqes nesër! Koha është sot! Tani!”, shkruan Aliaj, i cili kandidoi për deputet në Gjirokastër por nuk mundi të jetë fitues.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: