Barcelona po vuan shumë për të mbyllur transferimet për dy lojtarët e shumëkërkuar të ekipit katalanas që pas largimit të Neymar. Çështja Coutinho është kthyer në një telenovelë, por mbrapa nuk qëndron as ajo e Dembele.

Gjithsesi për francezin e Borussia Dortmund ka ende shpresë pasi klubi gjerman është në pritje të ofertës së duhur.

“Operacioni për një transferim të mundshëm të Dembele-s është shumë i thjeshtë dhe këtë e dinë fare mirë miqtë tanë katalanas”.

Kjo ka qenë batuta e drejtorit të përgjithshëm te Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke, i intervistuar nga “Bild” lidhur me një tratativë të merkatos që Spanja dhe Gjermania po e ndjekin me kërshëri.

Pas asaj që kishin deklaruar disa ditë më parë se “pozicioni i Borussia është i qartë”, tashmë drejtori i përgjithshëm i klubit gjerman ka shpjeguar se “ata (Barcelona) e dinë fare mirë se çfarë duam ne…situata është shume e qartë. Është gjithçka shume e thjeshte”.

Mësohet se Barcelona i ka ofruar ekipit gjerman 100 mln euro për shërbimet e futbollistit të talentuar, por që është hedhur poshtë nga drejtuesit. Me këtë lëvizje kuptohet fare mirë se Borussia kërkon të përfitojë më shumë të ardhura për mesfushorin dhe mënyra e vetme që Barcelona ta transferojë është të rrisë ofertën.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb