TIRANE- Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ktheu pasuritë e sekuestruara biznesmenit Dashamir Gjoka, i cili sipas Shkallës së Parë, i kishte përfituar këto asete nga veprimtaria kriminale, krime për të cilat edhe ishte dënuar nga autoritet italiane.

Pavarësisht faktit se Gjykata e shkallës së parë e pranoi kërkesën e Prokurorisë të mbështetur tek ligji antimafia, gazetarja Klodjana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se Apeli e ka gjetur të pabazuar këtë vendim.

Dashamir Gjoka rezulton të jetë dënuar dhjetë vjet më parë për veprat e shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafik njerëzish gjatë 1999 deri më 2001. Por të dyja këto vepra i detyrojnë autoritete të kërkojnë bllokim të pasurive të tij pasi ka dyshime se ato janë krijuar nga ushtrimi i veprimtarisë kriminale. Me një vendim të mëparshëm Gjykata e shkalles së parë i konsideroi të pajustifikuara të ardhurat e Gjokës, por Apeli kundërshton duke ju referuar investimeve të këtij shtetasi edhe nga tre kontrata huaje me biznesmenë të tjerë.

Por këto deklarata borxhi, Gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda i kishte konsideruar kontradiktore pasi ishin të përpiluara pa një akt noterial, që do të thotë se ato mund të shkruheshin në çdo kohë me qëllim për të justifikuar shpenzimet e kryera. Gjatë gjykimit për asetet ku pritej që të kalonin në favor të shtetit, mes të tjerash truaj ndërtimi, tokë are si dhe komplekse, lokale dhe supermarket, Gjykata e Apelit bëri një rivlerësim të pasurive të Gjokës me ekspertë të rinj.

VENDIMI I PLOTE I GJYKATES
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 06, datë 02.03.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, përsa është shprehur për rrëzimin e kërkesës për sekuestrimin e pasurive, në pikat ”1, 2, e 3” të tij, si dhe revokimin e masës së sekuestros së vendosur me vendimi nr. 18 datë 05/08/2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
2. Ndryshimin e vendimit nr. 06, datë 02/03/2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, si më poshtë;
– Rrëzimin e kërkesë padisë së paraqitur nga Prokuroria për Krime të Rënda, me objekt konfiskimin e pasurive në pikat ”1, 2, 3, 4 e 5” të dispozitivit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
3. Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, në pjesët e tjera të tij.
– U shpall në Tiranë, më 28.6.2017.

HETIMI I PROKURORISE-DENIMET
Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos më datë 29.11.2007 që është bërë përfundimtar më datë 07.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë. Episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasi Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003. Në këto episode, shtetasi Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit Italian të grave me origjinë nga Evropa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas informacionit të autoriteteve italiane, ky shtetas rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri (Dashamir Gjokës). Ky i fundit, sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra kishte blerë disa prona në Shqipëri. Po ashtu, në vitin 2013, ndaj këtij personi kishte edhe një urdhër arresti nga Gjykata e Monxas/Itali datë 09.02.2002 për kryerje të veprave penale “Dhunë seksuale”, “Akte të turpshme”, “Grabitje në rrethana rënduese”, “Mbajtje armësh zjarri”. Mbi bazën e këtyre vendimeve të gjykatës, shtetasi Dashamir Gjoka është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali dhe më datë 07.06.2013 është arrestuar për efekt ekstradimi.

Procesi për lejimin e ekstradimit është zhvilluar në tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, të cilat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim të Prokurorisë së Durrësit (si prokuroria kompetente, për shkak të vendbanimit të personit të hetuar). Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të Prokurorisë, në dt. 17.03.2015, gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, në dt. 30.06.2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e shtetasit Dashamir Gjoka. Ndërsa sot Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ktheu pasuritë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: