TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur dosjen e plotë të dërguar në gjykatë ndaj Mirald Metallarit, i cili vrau pak ditë më parë me armën e shërbimit babain e tij polic si dhe plagosi nënën në Bathore.

Sipas dosjes së Prokurorisë, konflikti ka nisur për motive të dobëta, ndërsa në deklaratën e tij, Metallari ka thënë se i ati e gjuajti me grusht në buzë. Prokuroria e Krimeve të rënda ka kërkuar ‘Arrest me burg’ ndaj Mirald Metallarit.
NJOFTIMI I PLOTE I PROKURORISE:
Prokuroria për Krime të Rënda dërgon në gjykatë kërkesën për caktimin e masë së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Mirald Metallari, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare (me viktimë babain e tij); “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, me të dëmtuar nënën e tij, si edhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë e referimit policor, sipas të cilit, mesditën e datës 24.07.2017, Mirald Metallari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë babain e tij, shtetasin Miftar Metallari, si edhe ka plagosur nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari.

Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se shtetasi Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin , shtetasin Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur. Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij shtetasja Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se shtetasi Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë. Me marrjen e këtij njoftimi, nga ana e Policisë u bë ndalimi i mjetit në rrugën “Lord Bajron, ku njëkohësisht u bë edhe ndalimi i shtetasit Mirald Metallari si dhe është bllokuar arma e zjarrit tip pistoletë, model “TT”.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime në praninë e avokatit të zgjedhur kryesisht, shtetasi Mirald Metallari, i cili ndër të tjera ka deklaruar se:

Më datë 24.07.2017 rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Mirald-i ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë 2 (dy) motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit . Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dal me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndaloj dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja. Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndaloj, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej 3 (tre) metrash. Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Mirald-it, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës. Më pas Mirald-i thekson se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital. Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë. Në deklarimin e tij ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: