TIRANE- Diplomati i njohur Dashnor Dervishi përmes dy historive të jetuara prej tij në kohën e komunizmit, zemërohet teksa pranon që situata mbetet e njëjtë edhe pas 25 vitesh.

Epsidi i parë përket kohës kur punonte si vullnetar në ndërtimin e hekurudhës Elbasan–Prrenjas. I diplomuar si fizikant në vitin 1972 ai iu fliste të huajve të pakët që vizitonin Shqipërinë për Urën e Bushtricës, të cilën e quante edhe më të madhen në Europë deri sa iu dha rasit të udhëtonte jashtë Shqipërisë e të kuptonte që nuk ishte ashtu. Ndërsa episodi i dytë i përket kohës kur ishte ambasador në Meksikë, ku mori një çertifikatë “nga ato që sot shpërndahen me shumicë nëpër aktivitete të organizuara nga klube të ndryshme apo nga OJF e shumta”,- siç thotë vetë, por që në shtypin e asaj kohe u propagandua si dhënia e një çmimi të rëndësishëm për sigurimin e bukës në vend.

Nga: Dashnor Dervishi
Episodi i parë: Ura e Bushtricës
Është historia, që do të linte mbresa të pashlyeshme në kujtesën time, që do të më ndiqte në çdo hap dhe që vazhdon edhe sot të jetë aktuale, është ngjarja që më ka ndodhur në hekurudhën Elbasan–Prrenjas. Ishin vitet 1973–1974, kur punohej me ritme të larta në ndërtimin e asaj hekurudhe. Hekurudha ishte kthyer në një kantier të madh, ku përveç qindra puntorëve të ndërtimit, inxhinierëve dhe teknikëve, punonin gjatë muajit të aksionit edhe mijra të rinj e pensionistë nga e gjithë Shqipëria, duke përdorur makineritë modeste të kohës. Sapo kisha mbaruar universitetin dhe isha emëruar fizikant për problemet e akustikës dhe strukturës së materialeve të ndërtimit, në Institutin e Urbanistikës dhe të Arkitekturës, në Tiranë. Ishte një punë e bukur dhe relativisht me lehtësira për një intelektual, që sapo kishte mbaruar studimet e larta. Në atë kohë, të gjithë studentët që mbaronin Degën e Fizikës Speciale shiheshin si specialistë me një farë të ardhme në karrieren e tyre. Por instiktet e mia më flisnin ndryshe. Në atë kohë, ishte e vështirë karriera, pa kaluar një periudhë stazhi në një prej kantiereve të ndërtimit ose në ndonjë rreth të thellë të vendit. Dhe unë vendosa të dal vullnetar, për të shkuar në ndërtimin e hekurudhës Elbasan–Prrenjas. Më caktuan komandant në sektorin e Bushtricës, aty ku ngrihej Ura e Bushtricës. Ura e Bushtricës, ashtu si e gjithë hekurudha deri në Prrenjas, ishte një vepër e vështirë, për mjetet dhe mundësitë e kohës.
Në periudhën e viteve 1972-74, pati një farë fryme liberalizimi në jetën shoqërore dhe kryesisht në atë të kulturës. Në këtë kuadër, pati një hapje të lehtë edhe ndaj grupeve të huaja që vinin për të vizituar vendin tonë, shumica e tyre të organizuara dhe nën mbikqyrje. Në vizitat që organizoheshin për grupet e të huajve apo të turistëve, do të përfshihej patjetër edhe hekurudha. Dhe vendi më ideal për të krijuar një ide mbi këtë vepër ishte Ura. I veshur me rroba pune si gjithë të tjerët, me çizme apo me opinga sipas rastit, më takonte mua që t’i prisja, t’i shoqëroja e t’u jepja shpjegimet e rastit. Në fillimet e para, mbasi mbaroja shpjegimet mbi të dhënat e urës, i kënaqur nga vëmendja me të cilën më dëgjonin, unë shtoja nga vetja ime se kjo është ura më e madhe e këtij lloji në vendin tone; më pas, mbasi shikoja entuziazmin në sytë e tyre, unë fillova të shtoj se kjo ështe një nga urat më të mëdha të Ballkanit dhe përsëri durtrokitje; ndonjëherë mburresha, duke e cilësuar edhe si një nga urat më të mëdha në Evropë dhe përsëri duartrokitje dhe fotografi pa fund.
Në fund të vitit 1973, mbaroi ndërtimi i hekurudhës deri në Prrenjas dhe bashkë me të edhe Ura e Bushtricës. Shumë vite më vonë, m’u dha rasti të futem në shërbimin e jashtëm, gjë që më krijoi mundësinë që të udhëtoja jashtë Shqipërisë. Ishte viti 1978, kur do të bëja udhëtimin tim të parë jashtë vendit. Do shkoja në Argjentinë, me shërbim pranë ambasadës sonë në Buenos Aires. Për habinë time më të madhe, nuk pata asnjë emocion, kur morra njoftimin. E gjithë kënaqësia ishte që të blija ndonjë dhuratë për djalin tim dy vjeçar dhe për gruan, me ato pak kursime që do bëja nga dietat. E dala jashtë shtetit në atë kohë, kishte edhe një ngarkesë tjetër, pasi duhet të përballoje vizitat nga familjarët, shokët e komshijtë, që vinin për të uruar “rrugë të mbarë”, gjë që shoqërohej deri në aeroport, si në nisje ashtu edhe në kthim.
Udhëtimi në avion nuk më dha asnjë emocion. I vetmi problem ishte se nga ushqimet që na shërbenin, nuk isha i sigurtë se çfarë ishte pa pagesë, i përfshirë në biletë dhe çfarë ishte me pagesë. Që të pyesja, ishte turp. Kështu që disa gjëra më mbetën pa i provuar. Megjithatë çdo gjë shkoi normal.
Problemi më lindi me mbrritjen në Paris, ku do të qëndroja atë natë, për të marrë avionin të nesërmen për në Buenos Aires. Në aeroportin Sharl De Gol kishin dalë nga ambasada jonë, për të më pritur me një Citroen, që vezullonte nga ndriçimi verbues i aeroportit. Zura vend në sediljen e pasme të rehatshme të makinës dhe po admiroja pamjen shokuese të aeroportit dhe të qytetit. Kaluam në një urë mjaft të gjatë, më pas në disa të tjera me radhë, në mbikalime të shumta, që nuk kuptohej ku fillonin e ku mbaronin. Menjëherë më shkoi mendja tek ura ime e Bushtricës. M’u mblodh një lëmsh në grykë dhe për herë të parë në atë udhëtim ndjeva përzjerje në stomak.
Në ambasadë ishin mbledhur pothuajse të gjithë, për të na pritur. Në atë kohë, vizitorët ishin të rrallë dhe këto raste shfrytëzoheshin nga familjarët, për të shpënë ndonjë letër apo pako të vogël. Mbasi përfundoi shpërndarja e porosive, erdhi koha për t’u ulur në tavolinën e shtruar enkas për mysafirët. Por e keqja që më kishte zënë, jo vetëm që nuk po më largohej, por kur pashë tavolinën e shtruar për bukuri, m’u shtua edhe më shumë. Megjithë këmbënguljen e tyre për të qëndruar qoftë edhe për pak kohë, fituan lutjet e mia, për të më çuar në hotel. Një shofer më shoqëroi deri në hotel.
Mbylla dhomën me çelës, hoqa kostumin, u ula në cep të krevatit, nxorra një fotografi, ku kisha dalë me gruan dhe djalin dhe e vura mbi komodinë. Qysh atë natë më morri një mall i paparë. Pas pak më plasi një ngashërim. Me kapi nje ligështi, më vinte mall jo vetëm për familjen, por në mënyrë të veçantë mëndja më shkonte tek ura ime e Bushtricës. Sa më e vogël që më dukej, aq më shumë më vinte keq për të. Nuk më vinte turp për budallallëqet e mia, kur e përshkruaja atë si ndër më të mëdhatë në Evropë, përkundrazi, ndjehesha krenar që me mundësitë tona modeste dhe me mjete të prapambetura kishim arritur ta ndërtonim. Gjithë të keqen e kisha tek vizitorët e huaj, të cilët pa përjashtim, jo vetëm që, me sa duket bënin sikur habiteshin me tregimet e mia, por edhe më duartrokisnin pa fund. Dhe të gjithë përpiqeshin të bënin sa më shumë fotografi. Për herë të parë e ndjeva veten të ofenduar.

Episodi i dytë: Çmimi në Meksikë
Në janar të vitit 1987 morra detyrën e ambasadorit të vendit tonë në Meksikë. Në Meksikë kishte një imazh pozitiv për vendin tonë. Kjo vinte ndoshta nga linja e ndjekur nga pushteti i Presidentit të mëparshëm, Luis Echeveria Alvares (1970-1976), i cili mbante marrëdhënie shumë të mira me ato që konsideroheshin si “vende të pavarura” apo “vende të botës së tretë”. Por, më shumë ishte për faktin se, duke qenë një vend i vogël dhe i largët, në Meksikë nuk dihej shumë se ç’bëhej në Shqipëri, mjaftonte që ai ishte një vend Evropian (në kufi me Italinë dhe Greqinë).
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kishim gjetur një ambient mjaft miqësor dhe bashkëpunues, për aq sa mund të arrihej në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që kryesisht bazoheshin në një mbështetje reciproke në organizmat e ndryshme ndërkombëtare. Në atë kohë, në MPJ ishte zv. Ministër i parë Rosenzëeig Diaz, i cili ishte martuar me me një grua me origjinë nga Berati. Marrëdhëniet tona miqësore e familjare me çiftin simpatik dhe të moshuar i kapërcyen kufijtë e bashkëpunimit zyrtar e protokollar.
Një mik tjetër potencial mbetej sigurisht ish Presidenti Echeveria, i cili vazhdonte të kishte një autoritet të padiskutueshëm në vend dhe në opinionin e tij, nëpërmjet dinastisë që kishte krijuar në politikë dhe influencës në shtyp dhe massmedia. Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Sociale të “Botës së Tretë”, i krijuar prej tij kishte nje aktivitet mjaft të gjërë. Së bashku me një nga këshilltarët e tij, nga më aktivët, Jorge Nuño, ishim të pranishëm në çdo aktivitet të rëndësishëm. Nëpërmjet tij patëm mundësinë të udhëtojmë e të njohim disa nga qendrat e rëndësishme dhe nga vendet e pafundme historike e arkeologjike të Meksikës.
Në Meksiko pata rastin të njihem edhe me avokatin e njohur Enrique Gama Muñoz. Me një studio prestigjoze në qendër të Meksikos, ai kishte edhe një vilë të bukur në Cuernavaca, ku ishin përqëndruar vilat e famëshme të VIP-ve të ndryshëm nga Meksika dhe gjithë bota, shumica anonime. Herë pas here, në atë vilë, ku nuk mungonte pishina dhe barbeque, kalonim fundjavën, në shoqërinë edhe të miqve të tij, kryesisht intelektualë me peshë në fushat e tyre.
Muñoz udhëtonte shumë jashtë vendit. Ai kishte qenë edhe në Shqipëri, ku ishte njohur me vështirësitë që kalonte vendi ynë, ishte entuziazmuar nga mikpritja, por edhe nga përpjekjet që bëheshin për të mbijetuar. Nën ndikimin e këtyre ndjenjave, ai së bashku me disa miq të tij krijoi Shoqatën e Miqësisë Meksikë Shqipëri. Në kuadrin e aktiviteteve të shoqatës, ai hapi një ekspozitë me pamje turistike nga Shqipëria dhe me atë rast na dorëzoi edhe një çertifikatë mirënjohjeje, për përpjekjet që Shqipëria, si një vend i vogël, bënte për sigurimin e bukës në vend me forcat e veta. Më vonë, në shtypin e kohës në Shqipëri dhënia e kësaj çertifikate u propagandua si dhënia e një çmimi të rëndësishëm për sigurimin e bukës në vend. Në fakt, ishte një çertifikatë nga ato që sot shpërndahen me shumicë nëpër aktivitete të organizuara nga klube të ndryshme apo nga OJF e shumta.

Dhe historia vazhdon…
Mbas Meksikës, përfaqësova Shqipërinë në 12 shtete të tjera (rezidente ose jo) dhe në të gjitha takimet me presidentët e vendit që u dorëzoja kredencialet e mia si ambasador, u mësova të dëgjoj të njëjtën këngë me atë të Urës së Bushtricës.. Shqipëria një vend i vogël por krenar… me suksese e përparime të mëdha… elozhe për drejtuesit e rradhës, e të tjera si këto… Por unë përpiqesha që ta kaloja sa me shpejt këtë pjesë, duke e përqëndruar bisedën në problemet thelbësore.
Mbas shumë vitesh u ktheva në Shqipëri. Mendoja se urën e Bushtricës dhe Çmimin e Bukës i kisha lënë pas, por nuk ishte e thënë. U bënë mbi 25 vjet që vazhdoj të trishtohem, duke dëgjuar të njëjtin avaz, që më ligështon gjithnjë e më shumë.
Para shumë vitesh, informacionet që kishim për botën e jashtme ishin shumë të kufizuara, kurse sot një pjese shumë të madhe të popullatës u ka rënë rasti të dalin jashtë vendit e të shohin se ç‘bëhet rrotull nesh. Po ashtu, me anë të Internetit dhe rrjeteve sociale, janë të pafundme mundësitë për të marrë informacion. Por megjithatë, vazhdojmë vend e pavend t’ia bëjmë qejfin vehtes dhe pranojmë me naivitet që të na e bëjnë qejfin të huajt. Kështu, duartrokasim për dhënie titujsh shkencorë të shumtë dhe të pamerituar, duartrokasim në inaugurime të shesheve, qendrave tregtare, etj. që mbase realizohen për herë të parë në vendin tonë, por që nuk janë për herë të parë në këtë botë dhe as më të madhatë, aq sa të çudisin një anglez, francez apo çdo të huaj, që entuziazmohen aq shumë, sa të lëshojnë deklarata publike apo edhe ndonjë çertifikatë me çmime vlerësuese, që vazhdojmë ta valëvisim nëpër ekrane televizionesh. Një delirancë e frikëshme e pushtetit.

Epilog
Ura e Bushtricës akoma vazhdon të mbetet për mua si Ura më e madhe dhe më e bukur në Botë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: