TIRANË- Partia Demokratike ka përfunduar fazën e parë të hartimit të programit. Sipas PD, programi është oferta për shqiptarët që parashikon zhvillim ekonomik, lehtësi fiskale, punësim, stimuj ekonomik, zhvillim të bujqësisë, infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë.

“Taksat e ulëta, zbritje e TVSH në nivelin 15 përqind, futja e taksës së sheshtë më të ulëtën në Ballkan në nivelin 9 përqind, janë disa nga pikat e platformës, që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më atraktiv të rajonit për investime. Prioritet do të jetë po ashtu zbatimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit”, deklaron PD.

Sipas saj, deri në fund të muajit janar, do të bëhet edhe konsultimi final me specialistë të fushës, për ti pasuruar më tej këto dokumente me ekspertizën dhe idetë më të mira.

Ndërsa në muajin shkurt, programi i secilit prej 22 departamenteve do t’i nënshtrohet diskutimit të hapur me grupet e interesit, në funksion të përmirësimit dhe përfshirjes së çdo opinioni të vlefshëm.

“Pas kësaj, në muajin mars, programet e departamenteve sipas fushave që mbulojnë, që janë dhe alternativa e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme, do të bëhen publike.

Puna e hartimit të programeve për secilin departament, ka nisur prej 4 muajsh. Ekspertët më të mirë të fushës së bashkë me drejtuesit politikë të departamenteve kanë dhënë kontributin e tyre për të hartuar alternativën që ofron zgjidhjet më të mira për secilin sektor të jetës”, sqaron më tej PD.

Këto platforma, sipas saj, janë një projekt i detajuar dhe i plotë në ekonomi, rend, siguri, shteti i së drejtës, bujqësi, turizëm, infrastrukturë, e shumë fusha të tjera, janë zgjidhje për daljen nga kriza.

“Projektet e detajuara, që sjellin punësim e zhvillim, do të prezantohen si në rastin e prezantimit të platformës së taksave të Partisë Demokratike, një muaj më parë”, përfundon deklarata e PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: