TIRANË- Ende pa u konstituuar parlamenti i ri, duket se LSI e ka nisur opozitarizmin. Një ditë pasi deputeti i PS-së Eduard Shalsi akuzoi drejtorët e LSI-së se iu merrnin para peshkatarëve të Pogradecit për t’iu lëshuar licencat, ka reaguar një nga deputetët e rinj të LSI-së.

Bëhet fjalë për deputetin Endrit Braimllarin, i cili ka shpërthyer në akuza ndaj Shalsit, duke rikujtuar se ishte ai që solli ligjin e plehrave. Braimllari i quan mashtrime deklaratat e Shalsit dhe thotë se do të mbulojë aromën e plehrave që do të sjellë në Shqipëri.

Ai shkruan për deputetin socialist se “kutërbon si plehrat se vetëm për plehrat mendon, punon, jeton dhe rruan para”.

STATUSI I BRAIMLLARIT
Shalsi, ky kryefirmëtar i ligjit të plehrave, i kthimit të Shqipërisë në gropë mbetjesh të rrezikshme, nuk mund të mashtrojë më askënd sepse aroma e plehrave që ai do të sjellë në Shqipëri është aq e rëndë sa nuk ka erë tjetër që mund të mbulojë, qoftë edhe e parfumosur me aromat mavi të rilindjes!
Shalsi kutërbon si plehrat se vetëm për plehrat mendon, punon, jeton dhe rruan para…

Braimllari fb

STATUSI I SHALSIT
DËGJESË ME PESHKATARËT E POGRADECIT
Dëgjojini rrëfimet e peshkatarëve të Pogradecit, mbi atë se si peshkimin dhe specialistë të fushës i komandonin partiçkat me njerëz jo profesionistë.

Për mënyrën se si peshkatarëve me 20 vite eksperiencë, u kërkohen nga partiçkat, vota në këmbim të licencës.

Inspektorë partiçkash, që ia kanë bërë të pamundur aktivitetin peshkatarëve, duke i kërkuar vota në këmbim të licencave. Inspektorë pa asnjë lidhje me peshkimin, në vend që në krye të punëve të ishin inxhinierët e peshkimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb