PRISHTINE- Se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës është pyetja të cilën po provon që t’i përgjigjet secili qytetar i këtyre ditëve. E cili duhet të jetë ai, këtë po provojnë ta dëshmojnë dy aktorët kryesorë në këtë duel kryeministrash, Ramush Haradinaj si i nominuar nga koalicioni PAN për këtë pozitë dhe Albin Kurti nga lëvizja “Vetëvendosje”.

Që të dy tashmë kanë nisur edhe haptazi ballafaqimin e tyre, duke thumbuar njëri-tjetrin nëpër rrjetet sociale dhe përmes intervistave të ndryshme nëpër mediat kosovare, shkruan ‘Zëri’. Në AAK thonë se Ramush Haradinaj edhe ligjërisht është i vetmi i cili ka të drejtë ta formojë Qeverinë.

Ndërkohë në lëvizjen “Vetëvendosje” janë të bindur se Republikës së Kosovës i kthehet dinjiteti vetëm me Albinin si kryeministër. Analistët kosovarë vlerësojnë se përballja Haradinaj-Kurti do të intensifikohet edhe më tej me kalimin e ditëve. Sipas tyre, të dy kandidatët nuk do ta kursejnë as gjuhën e ashpër deri në momentin që në lojë do të hyjë presidenti Thaçi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb