Armand Duka e ka të qartë. “Ne kërkojmë që të shkojmë akoma më lart, ndaj trajneri i ri duhet të përballojë sfidën për të kaluar De Biazin”, kështu u shpreh presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit në një intervistë për mediat pas ceremonisë së lamtumirës me ish-trajnerin Xhani De Biazi. Armand Duka pranoi se do t’i pëlqente që të kishte në krye të Kombëtares shqiptare një emër si ai i Inzagit, por ka shtuar se nuk ka asgjë konkrete dhe faktike, porse mediatike.

Janë lakuar shumë emra për trajnerin që do të pasojë De Biazin. Sa të vërteta ka?
Është një eksperiencë jo e re, pasi edhe në të kaluarën kemi pasur të njëjtën situatë kur kemi qenë në kërkim të plotësimit të vendit të trajnerit. Fjalët dhe komentet janë të shumta dhe është e vërtetë që edhe kandidaturat janë të shumta. Konkretisht, nuk kam ndonjë emër që mund të them tani.

Kemi nisur punën në mënyrë jo të planifikuar, pasi mendonim që De Biazi do të qëndronte të paktën deri në tetor. Jemi në kërkim të një trajneri, i cili do të ketë mundësinë që ta ndihmojë Shqipërinë. Tashmë ne jemi jashtë pretendimeve për Botërorin, por për të marrë maksimumin nga këto ndeshje dhe për të bërë gati ekipin për kualifikueset e ardhshme.

Keni takuar personalisht ndonjë nga kandidaturat?
Jo, akoma nuk kam takuar kandidatura për trajner. Kam qenë në Romë para dy ditësh dhe kam intervistuar tre kandidatë për një post tjetër vakant në FSHF, atë të drejtorit teknik që është shumë i rëndësishëm. Faktikisht, do të dëshiroja që ta plotësoja atë post sa më parë dhe së bashku me të të vendosim edhe për trajnerin.

Gjithsesi do t’i vazhdojmë paralelisht kërkimet, duke qenë se koha nuk punon shumë në favorin tonë. Në gusht duhet të grumbullohemi për ndeshjen e dy shtatorit kundër Lihtenshtejnit, ndaj në mënyrë shumë të shpejtë do të veprojmë për ta plotësuar Kombëtaren.

Mediat prestigjioze në Itali kanë përmendur edhe emrin e Inzagit. Ka diçka konkrete me të?
Realisht, Inzagi është një figurë e madhe që do të më pëlqente të ishte në pankinën e Shqipërisë. Si Inzagi edhe emra të tjerë që janë përmendur nga mediat, janë kontaktuar edhe nga ne ose nga agjentët e trajnerëve. Por nuk ka asgjë konkrete. Rasti i tij, konkretisht është trajner në kontratë me Venecian dhe nuk e di nëse do të jetë i gatshëm për të ardhur në Shqipëri apo jo.

Nuk e di nëse plotëson ato kushtet tona dhe mund të afrohemi apo jo. Dua të them që shumë prej gjërave janë mediatike, sesa faktike. Realisht nuk ka asgjë konkrete. Jemi në proces dhe nga një listë e madhe, sapo të arrijmë të kemi një më të ngushtë, patjetër që do ta bëjmë publike pasi prej saj do të dalë edhe trajneri i ri. Nga ajo do të dalim në një emër me të cilin do të përpiqemi të plotësojmë vakumin që na la De Biazi.

Cila do të jetë strategjia për teknikun e ri, në aspektin financiar?
Ekipi kombëtar kurrë nuk ka një trajner me profil të ulët dhe të gjithë janë me profil të lartë. Shumëkush i vlerëson nga titujt apo me kë ka bërë karrierë. Unë jam i sigurt që çdo lloj trajneri me një lloj eksperience, qoftë edhe sportive, apo me një lloj urie për sukses do të ishte i duhuri. Kjo, pasi edhe në emërimin e Xhani De Biazit si kriter kryesor kam pasur urinë për sukses, gjë të cilën do ta vlerësoj shumë edhe në këtë situatë. Nuk do të më pëlqente ndonjë që ka arritur gjithçka dhe nuk ka çfarë të arrijë.

Do të jetë e vështirë për këdo, pasi duhet të kalojë De Biazin…
Kjo do të jetë sfida e tij dhe është akoma më mirë për ne pasi kërkojmë që të shkojmë akoma më lart./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: