Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, mendon se ecuria e Skënderbeut në “Europa League” është e ngjashme me atë të Italisë pas “Calciopolit”. Duka në një intervistë për t.ch është shprehur se ringritja e madhe e Skënderbeut në Europë, pas ndëshkimeve nga UEFA, por edhe nga FSHF, duket se i ka bërë korçarët nga skuadra që njollosi futbollin tonë, në atë të krenarisë së futbollit shqiptar, për momentin.
Duka-festimi-470x410
“Janë bërë si Italia pas Calciopolit, që u shpall kampione bote. Edhe Skënderbeu po korr suksese të mëdha në Europë. Tani kanë një ndeshje jashtëzakonisht shumë të vështirë kundër Dinamos së Zagrebit, pasi nuk kanë bërë as 50% të punës me rezultatin 1-1 në takimin e parë. I mbetet edhe rreth 70% e punës për ta bërë në Elbasan. Nëse do t’ia dalin, do të na bëjnë të lumtur”, deklaron Armand Duka.

Presidenti i FSHF-së sqaron edhe njëherë atë se çfarë do të bëhet me titullin kampion të 2015.
Takaj-dhe-Duka-470x402
“Presim vendimin e CAS-it, nëse do të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Etikës së FSHF-së, apo do të ketë ndonjë vendim më të thelluar për Skënderbeun. Pas këtij vendimi dhe arsyetimit të tij, më pas do të jenë komisionet e Federatës që vendosin se çfarë do të bëhet me titullin e atij kampionati”, deklaroi Duka.

Ndërkohë, në fundin e këtij muaji fillon edhe aventura e Panuccit në stolin kuqezi, me dy ndeshjet e radhës ndaj Lihtenshtajnit në “Elbasan Arena” më 2 shtator, si dhe ndaj Maqedonisë në Strumicë më 5 shtator.
panuci-duka-470x296
“Duhet që të gjithë ne ta mbështesim dhe ta ndihmojmë. Patjetër që ai është i ri në këtë ambient, në këtë skuadër, pavarësisht se ka shumë eksperiencë në botën e futbollit. Por e gjithë skuadra duhet ta mbështesë maksimalisht për të arritur objektivin. Na duhen 6 pikë në këto dy ndeshje për Shqipërinë, jo për Panuccin”, u shpreh Duka.

Ndeshja e dytë, ajo me Maqedoninë duket edhe më problematikja, jo vetëm në aspektin sportiv. Spostimi i këtij takimi në Strumicë është një vendim që nuk kapërdihet lehtë nga FSHF-ja.

“Spostimi i ndeshjes në Strumicë nga pala maqedonase, nuk besoj se ka qenë ndonjë tendencë negative kundër nesh. Por paaftësi e tyre për të organizuar dhe siguruar një ndeshje në një stadium të madh, siç është ai i Shkupit. Ne duhet ta lexojmë më tepër si me efekt superioriteti, e jo inferioriteti, vendimin për spostimin e ndeshjes dhe kjo duhet të na çojë drejt fitores”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Në muajin shtator, UEFA do të shpallë edhe stadiumin fitues, ku do të luhet finalja e Superkupës së Europës për vitin 2019, ku edhe Shqipëria ka mundësitë e saj.
Duka-Ceferin-tetor-2016-470x313
“Për të qenë objektiv, nga 9 kandidatë mundësitë e Shqipërisë janë diku te 11.5% për të fituar, sepse janë të gjithë të barabartë për të fituar. Nuk mund të themi se ne jemi absolutisht më pretendentë sesa Franca apo Turqia, apo ndonjë shtet tjetër, gjithsesi jemi konkurrentë për të zhvilluar këtë finale”, përfundoi intervistën Armand Duka.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb