Nga Jetmir OLLDASHI
Asnjëherë nuk është vonë për të marrë vendimet e duhura. Kjo shprehje i shkon më së miri për shtat Lulzim Bashës pas deklaratave të tij të djeshme se po përfshihej në një proces vetëngrirjeje. Për të analizuar më së miri situatën në të cilën ndodhet Partia ende më e madhe e opozitës duhen marrë në konsideratë shumë faktorë:

1. A ka pasur Basha dorë të lirë në strukturimin e Partisë Demokratike që kur mori drejtimin e saj?
2. A mban Basha përgjegjësi për hyrjen në çadër, marrëveshjen e 18 majit dhe listën e kandidatëve për deputet?
3. A ishte fushata e Bashës brenda realitetit shqiptar, nëse mesazhi i tij elektoral u kuptua apo jo nga votuesit shqiptar dhe nëse jo kush e ka përgjegjësinë për këtë gjë?
4. Kush janë ata që po e sulmojnë Lulzim Bashën sot dhe a kanë të drejtë?
5. Çdo të ndodh me Partinë Demokratike pas kësaj përplasje?

Lulzim Basha e mori plotësisht pa fraksione dhe pa kundërshtarë të hapur Partinë Demokratike në verën e 2013. Me Berishën në krah askush nga kundërshtarët e tij nuk guxoi ti vërë në lojë autoritetin. Basha premtoi një parti të të rinjve, një parti të vlerave dhe një peshë më të madhe të anëtarësisë në vendimarrjet politike. Basha premtoi gjithashtu edhe një analizë të mirfilltë të humbjes së zgjedhjeve të 2013 nga Partia Demokratike. Në fakt analiza nuk u bë kurrë dhe asnjëherë nuk u mor vesh publikisht dhe zyrtarisht se cili ishte mendimi i selisë blu për këtë humbje.

Zgjedhjet brenda Partisë shtyheshin pa fund deri në verën e vitit 2014 ku të gjitha degët e Partisë Demokratike u futën në zgjedhje. Procesi zgjedhor ishte i njëjtë ai i 24 viteve rresht të kësaj partie me struktura fiktive anëtarësime të cilat i shërbenin çastit dhe jo Partisë Demokratike. Ky proces zgjedhor nuk arriti të nxirte eksponentë dhe personalitete të Partisë Demokratike në degët e saj kryesore. Pjesa më e madhe e të zgjedhurve ishin ish-drejtorë të qeverisjes Berisha dhe rrjedhimisht mbartnin gjithë mëkatet dhe përfoljen e tyre për korrupsion për epokën 2005-2013. Ky proces tregoi se Partia Demokratike nuk ishte hapur ndaj shoqërisë. Mbrojtësit e Bashës u justifikuan duke thënë se kundërshtarët e tij konservatorë po bënin rezistencë dhe po vendosnin njerzit e tyre, ndërsa kritikët e tij e akuzuan se nuk jepte besim tek qytetarët e thjeshtë. Zgjedhjet lokale të vitit 2015 ishin një tjetër tregues i qartë se Basha veproi i vetëm duke vendosur kandidatët më të gabuar me më pak mbështetje në të gjithë Shqipërinë. (përjashto Halim Kosovën në Tiranë dhe ndonjë rast tjetër sporadik)

Humbja ishte e madhe katastrofike PD mori më pak se 30% të njësive vendore në të gjithë vendin. Humbi në qytetet kryesore dhe u shpartallua plotësisht në jug. Lulzim Basha në 27 qershor 2015 doli nga selia e Partisë Demokratike dhe shpalli fitoren. Kemi bërë një hap të madh përpara tha zoti Basha. Si gazetar i kam drejtuar një pyetje atë ditë nëse ndihej ndopak fajtor që 200 mijë shqiptar nuk kishin votuar ditën e zgjedhjeve por përgjigja e zotit Basha ishte se shqiptarët braktisën Edi Ramën dhe Ilir Metën….

Analiza e munguar e zgjedhjeve lokale solli edhe një riorganizim të brendshëm të PD-së në degë, përfundimi, u bënë zgjedhje në Pogradec ku PD-ja kishte fituar dhe nuk u bënë në shumë bashki ku humbja ishte dërrmuese. Dukej sikur zoti Basha nuk jetonte me realitetin e vërtet të asaj se çfarë po i ndodhte PD-së në terren por në një realitet tjetër të shpikur. Në zgjedhjet për Kryetarin e FRPD-së procesi ishte korruptiv totalisht i manipuluar dhe ndërkohë që nuk mbeti i madh e i vogël pa ndërhyrë zoti Basha asnjëherë nuk përdori kompetencat e tij për ta sjell garën në nivele demokratike, në nivele shprese, në nivele që do ti bindtte të rinjtë e Shqipërisë se kjo parti kishte vërtet demokraci të brendshme. Nga gjithë kjo pasqyrë e ngjarjeve të Bashës si kryetar në këto katër vjet mund të kuptojmë qartazi se Basha ka pasur dorë të lirë për të bërë Partinë Demokratike sipas shëmbëlltyrës së tij. Dhe ai e bëri.

Në mes të dimrit 2017 në një operacion të befasishëm Lulzim Basha pas një proteste antiqeveritare nguli çadrën e tij në mes bulevardit qëndror të Tiranës para kryeministrisë. Pas çdo dite që kalonte Basha radikalizonte qëndrimet dhe dukej se vendi po hskonte në një përplasje të madhe. Vendosja e çadrës në bulevard ishte vnedim personal i Lulzim Bashës, as këshilli Kombëtar dhe as Kryesia e Partisë Demokratike nuk u mblodhën për të marë një vendim mbi një aksion politik kaq të rëndësishëm. Gjithë përgjegjësia ishte e Lulzim Bashës, u mendua se ai më në fund po rritej si lider dhe po ia hiqte ndikimin Sali Berishës nga PD-ja. Kundërshtarët e tij u kapën në befasi deri atë moment ata kishin kërkuar protesta dhe radikalizim të opozitës, pas vendosjes së çadrës ata po silleshin si të moderuar. Kjo ishte ndoshta fitorja e vetme e Lulzim Bashës në 4 vite si kryetar i Partisë Demokratike.

Zoti Basha u duk i trimëruar kur i bëri ball presionit europian për tërheqjen nga çadra dhe shqiptarët filluan të besonin se ndoshta kishte ende shpres. Por befas në 18 maj i mbyllur për më shumë se pesë orë me Edi Ramën tet a tet Lulzim basha u shfaq para kamerave me një përplasje duarsh njësoj si ajo mes dy miqve të vjetër dhe u tha shqiptarëve se marrveshja ishte arritur. Basha do të hynte në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër ndërsa kishte rrëmbyer disa ministra në qeveri dhe disa drejtor në administratën e lartë publike. Demokratët në veçanti u ndjen të tradhëtuar. Nga diskuri i liderit të tyre rama nuk shihej më si njeriu që kanabizoi vendin.

Por surprizën më të hidhur zoti Basha e kishte ruajtur me listat e deputetëve një javë pas marrveshjes me Edi Ramën. Lista e deputetëve e çuar në mesnatë në errësirë të plotë pa transparencë ishte një goditje e madhe për demokratët anembanë vendit. Shumëkush pyeste se cili ishte kriteri qe hiqte Astrit Patozin nga lista dhe rinovonte në listë Astritë Velinë. Patozi kishte bërë opozitë të fortë ndaj qeverisë Rama dhe ishte memorie shumë e fortë e Partisë Demokratike e të shkuarës së saj, ndërsa Astrit Veliaj nuk kishte mbajtur asnjë fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për katër vjet dhe nuk kishte asnjë lidhje me historinë e Partisë Demokratike. Thashethemet thoshin se këto punë kishin dy leverdi për Bashën, së pari po eleminonte kundërshtarët potencial të mundshëm dhe së dyti disa prej kandidatëve kishin paguar për të qënë në listën e deputetëve. Asgjë nuk ishte transparente dhe nuk i largonte dyshimet se demokracia në Partinë Demokratike po bënte pas ndërsa korrupsioni përpara.

Nëpërmjet një fabule të shpikur si Republika e Re Basha shkoi fshat më fshat e qytet më qytet dhe shpalosi programin e tij. Ndërsa Rama fliste për timonin Basha fliste për motorrin, Rama për pantallonat doku, Basha për tutat e Ramës. Batuta spektakël dhe sulme të të dyve ndaj Ilir Metës. Basha dukej sikur kishte zëvendësuar Taulant Ballën ose Saimir Tahirin në krah të Ramës. Ndërsa qytetarët tundnin kokën kur zoti Basha u fliste për republikën e Re, në fakt ata skuptonin asgjë. Si mund të ngriheshin themelet e një Republike të Re mbi një marrveshje të vjetër me Edi Ramën? Diskuri në fushatë dhe ulja e armëve ndaj Edi Ramës kur ky i fundit mori dhe simbolin e dy gishtave çoi shumë vota të djathta tek Edi Rama. Paraja pushteti dhe spektakli i Edi Ramës robëruan me shumicë shpirtra të lirë të së djathtës.

Pakënaqësitë për fushatën gëlonin në çdo zyrë elektorale të Partisë Demokratike. Grupi i sulmit që kërkon dorëheqjen e Bashës përbëhet nga një homogjenitet për tu admiruar. Aty ka ish funksionarë ish drejtora të përlyer keq me pushtetin, njerëz të promovuar nga Lulzim Basha dhe disa prej tyre janë dhe historia e Partisë Demokratike. Të jemi të qartë historia e Partisë Demokratike i përmban të gjitha ngjyrat brenda është historia e zhvillimit të vendit, e dështimeve dhe mungesës së demokracisë. Disa syresh prej tyre janë njerëz që kanë raporte shumë të këqija me demokracinë dhe votën e lirë, disa të tjerë edhe për shkak të mllefeve personale e sulmojnë sot Lulzim Bashën. Të gjitha këto kanë pak rëndësi. Më e rëndësishme është nëse ajo që ata thonë është e drejtë apo jo. Në fakt duke marë parasysh mënyrën sesi Basha e ka drejtuar Partinë këto katër vjet ata kanë të drejtë.

Nëse Basha do kishte nxitur hapjen e Partisë Demokratike dhe respektimin e votës së lirë sot me siguri shumë prej tyre sdo ishin as në këshillin Kombëtar të PD-së as në këshillin bashkiak të Tiranës. Basha i kishte mundësitë ta ndryshonte PD, por nuk e bëri ai mbajti aty servilët sahanlëpirësit dhe njerzit pa vota pa merita intelektuale dhe për këtë faji është vetëm i Lulzim Bashës.

Zhgënjimi, britma dhe ulja e kokës së demokratëve është në nivelet më të larta që prej krijimit të kësaj Partie. Lulzim Basha nuk mund të injoroj askënd që e kritikon, ndërsa duhet të shoh me rezerva ata që e mbështesin. Fryma e luftës që ka shpërthyer mes palëve është e hidhur dhe mund të çoj ose në humbjen e Lulzim Bashës ose në largimin e një pjese shumë të madhe të historisë dhe aktivistëve të PD-së. Të dyja këto do e bënin edhe më të dobët Partinë Demokratike. Demokracia është numra. Dhe PD-ja nuk e ka luksin të flakë askënd. Dorëheqja e Lulzim Bashës do ishte rruga më e mirë për të qetësuar gjakrat dhe për të ndalur tatëpietën. Dikush mund të thotë se ata nuk punuan në fushatë punuan kundër kryetarit, ata mund ta bëjnë sërish këtë gjë, herën tjetër edhe më fortë. Kjo parti ka nevojë për një gjë të re për një gjë që i ka munguar që prej krijimit të saj vendosjen e votës së lirë në themel të krijimit të institucioneve të saj të reja. Pa votë të lirë fati i saj do shkoj poshtë e më poshtë vetëm si një fakt historik dhe jo si një alternativ pushteti për të nesërmen e saj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb