DURRËS- Një nga pasuritë e qytetit të Durrësit, Muzeu Historik është çelur sot pas mbylljes prej kohësh për shkak të restaurimit. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë Kryeministri Edi Rama, i cili tha se për të gjithë ata që e shohin sot për herë të parë, Muzeu rrezaton në të gjithë shkëlqimin e vetë një trashëgimi të pasur dhe për fatin e keq të dëmtuar dhe të harruar të historisë tonë. Rama tha se kjo është një ditë e rëndësishme për trashëgiminë kombëtare.

“Muzeu arkeologjik i Durrësit, një muze kombëtar çel sot dyert dhe jam i bindur që për të gjithë ata që do ta shikojnë për herë të parë, rrezaton në të gjithë shkëlqimin e vetë një trashëgimi të pasur dhe për fatin e keq të dëmtuar dhe të harruar të historisë tonë. Është ndërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri dhe falë punës së palodhur të disa njerëzve. Do të veçoja Edlira Çaushin, e cila është udhëheqëse e projektit. Fondi i këtij Muzeut përmban 3204 objekte, të antikitetit, mesjetës etj. Që nga objektet e mëdha deri tek ato të vogla, shishe parfumi të mesjetës që mund të konkurronin dhe parfumet e Dior apo Channel. Ky muze është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh shqiptarë, të cilët për një periudhë kohe arritën të vendosnin gurë themeli në arkeologjinë shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri tha se megjithëse ky muze u përurua në vitin 2002 dhe për të u dhanë rreth 1 mln dollarë, ai ishte lënë në harresë dhe objektet arkeologjike ishin dëmtuar. “Ky muze u përurua në 2002 dhe asnjëherë nuk u përfundua por ra viktimë e politikës së përurimeve njësoj si proverbi “Dardha e ka bishtin mbrapa”, që e kanë bërë Muzeun të vuajë shumë dhe në vend se të përmirësonin e kanë dëmtuar shumë thesarin e tij. Ndërkohë që janë bërë disa tenderë për tulla e për llaç për godinën, pjesët dërrmuese të objekteve muzeale, janë braktisur. Si përfundim pasi u dha edhe fondi më i madh për muzeun rreth 1mln dollarë, Muzeu u mbyll. Ajo që na u desh të bënim ishte të rimerrnim në dorë fatin e Muzeut dhe të rikonceptonim projektin. Ndërkohë të bashkëpunonim me Bashkinë e Durrësit”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri Rama njoftoi se së shpejti do të nisë faza e dytë e projektit për çlirimin e arenës së amfiteatrit nga ndërtimet pa leje.

“Gjithë kjo punë është bërë me një fond modest prej 80 mijë dollarësh. Kjo është arsyeja që jemi shumë krenar që çelim dyert e këtij muzeu që do ketë edhe një program edukativ. Së shpejti do të ketë një aktivitet të posaçëm, një ekspozitë të antikitetit për të verbrit. Do të vazhdojmë me fazën tjetër të amfiteatrit. Do të çlirojmë arenën nga ndërtimet pa leje”, tha Rama.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se ky u mbajt një premtim dhe është bërë një punë shumë e madhe dhe me pasion për rikonstruksionin e tij.

“Pas 5 vitesh ndërprerje hapim sot muzeun arkeologjik, më të pasurin në vend. Durrësi është një thesar që nuk mbaron. Në 2010, 1 milion e 200 mijë dollarë u dhanë për rikonstruksionin e këtij muzeu. Nuk gjetëm as plan dhe as projekt. Vetë si qytetare dhe si prind sillja rregullisht fëmijët për të vizituar këtë muze dhe më dhembte që për 4 vjet e gjeja të mbyllur. Vitin e kaluar premtuam se do ta hapnim ndonëse nuk kishim fond, me pak para dhe me një punë të madhe. U kaluan një nga një. Ka shumë pasion në këtë punë”, tha Kumbaro.

Ministrja tha se megjithëse nuk janë zgjidhur ende problemet e trashëgimisë në Shqipërisë ato janë duke u zgjedhur. “Nëse më pyesni nëse i keni zgjidhur problemet e trashëgimisë në Shqipëri, do ju them jo, por nëse më pyesni a jeni duke i zgjidhur, ju them po. Kemi hapur 4 kantiere muzeale, në Shkodër, në Korçë, në Tiranë dhe në Durrës. Kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e Bashkisë së Durrësit. Po përgatisim gjithashtu një version të kësaj ekspozite për vizitorët me një handikap natyral, për të verbërit, që këta vizitorë të shijojnë si të gjithë trashëgiminë kombëtare. Durrësi ynë do të tërheqë më shumë vizitorë sepse ka akoma shumë për të treguar”, tha Kumbaro.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: