Gara ilegale me makina që po bënin dy të rinj me origjinë nga Kosova në një rrugë automobilistike në Itali, ka pasur përfundim tragjik për një pjesëmarrës tjetër, të pafajshëm në trafik, shkruan südtiroler news.

Njëri nga shqiptarët ka humbur kontrollin mbi makinën gjatë një manovrimi rrezikues dhe ka dalë në korsinë tjetër duke u përplasur me makinën që po vinte në mënyrë të rregullt nga ana tjetër, transmeton albinfo.ch.

Shumë dëshmitarë kishin vënë re se si dy vetura vazhdimisht e tejkalonin njëra-tjetrën. Në timon të një “Audi A3” dhe një “Alfa 147” ishin dy të rinj me origjinë nga Kosova, kushërinj mes tyre. Makina e 26-vjeçarit E.B. (i dënuar tashmë disa herë) në një kthesë të rrugës “Via del Mare” afër lokalitetit San Dona di Piave ka tejkaluar atë të kushëririt të tij K.K.

Ky i fundit, 21-vjeçar, për të fundit herë ka provuar ta tejkalojë të parin dhe ka humbur kontrollin, duke shkaktuar aksidentin e rëndë.
Personi që po vinte nga ana e kundërt një punëtor italian 53-vjeçar e ka paguar me jetë lojën e dy të rinjve.

Disa dëshmitarë të cilët ishin ndalur për të dhënë ndihmën e parë, kanë vënë re se shkaktari i aksidentit (K.K) përkundër lëndimeve ka dalë nga makina dhe, pa e parë fare personin që po vdiste, ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes. Ndihma e parë ka ardhur shumë vonë për italianin i cili ndërkohë kishte vdekur nga plagët e rënda.

Karabinierët më pas i janë vënë në ndjekje shkaktarit të aksidentit dhe e kanë arrestuar atë së bashku me kushëririn e tij 26-vjeçar. Ky i dyti ka deklaruar para karabinierëve se e ka transportuar 21-vjeçarin në një spital në Trieste, ku pastaj është arrestuar.

I riu mësohet se nuk kishte as patentë. Ndërsa si bashkëpunëtor akuzohet edhe kushëriri i tij E. B. Të dy janë dërguar në burg, në Venecia dhe i pret një proces gjyqësor që mund t`u shkojë me dënime me heqje lirie disavjeçare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: