TIRANE – Sapo ka dalë në qarkullim libri i Atjonit Zhitit, me një titull të veçantë, të bukur dhe rinor ashtu si dhe vetë autori, “PËR ATË QË DUA(M)”, pra, për atë që ai do, por dhe gjithsecili nga ne dhe të gjithë së bashku.

Libri botohet nga “EUETPRESS” dhe do të përurohet në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës të dielën në 30 gusht, ditën kur Atjoni do të mbushte 20 vjeç.

Ështe interesant fakti se revista e PEN Clubit Italian, ku Atjon Zhiti ishte anëtari më i ri, kur studionte për filozofi në Milano, në numrin e saj të fundit në faqen e librave të reja të autorëve të njohur që bëjnë pjesë në këtë organizatë të madhe,  ka njoftuar dhe botimin shqiptar të Atjon Zhitit.

Presidenti i PEN-it italian, poeti Sebastiano Grasso dëshmon se e adhuronte djaloshin nga Shqipëria për çiltërsinë dhe inteligjencën, për interesat e tij të shumta dhe kurajon qytetare për të vepruar. Sebastiano Grasso tha se “Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin”.

Po kështu një nga poetët më të mëdhenj në botë sot, Adonis, kandidat i hershëm për çmimin “Nobel” dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze nëpër botë, dje i çmimit gjerman “Erih Maria Remark”, që jeton qysh prej 30 vjetësh në Paris, i mërguar nga Siria, të cilin Atjoni e ka takuar në Milano, e përshendet promovimin e librit të tij në Tiranë dhe dërgon këtë mesazh:

“E kam njohur Atjonin në shtëpinë e mikut poet Sebastiano Grasso dhe Atjoni kishte aftësinë ta iluminonte poezinë, nga që ai vetë është një poemë, pothuajse magjike.”
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: