Pas afro 4 vitesh që qarkullonte në vendin tonë, në pavionin infektiv në QSUT dy pacientë rezultojnë me malaria. Shefi i Shërbimit Infektiv, Dhimitër Kraja ka thënë për “klan”, se pacientet e prekura janë dy vajza të reja amerikane, të cilat kohët e fundit kanë udhëtuar në Kamboxhia.

Fillimisht u dyshua se 4 pjesëtarët e grupit të të rinjve që vinin nga Kamboxhia ishin me malarie, por pas ekzaminimeve, vetëm dy prej tyre rezultuan pozitivë.

Të rinjtë u paraqitën për ndihmë mjekësore në gjendje të rëndë, me temperaturë të lartë, ethe dhe diarre.

Sipas mjekëve të Shërbimit Infektiv në QSUT, gjendja shëndetësore e dy pacienteve paraqitet e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Bluzat e bardha thonë se nuk ka vend për panik, pasi sëmundja infektive nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu, por përmes pickimit nga mushkonja, kur kjo e fundit ka pickuar një person që mbart sëmundjen infektive.

Sëmundja tropikale u shfaq për herë të fundit në vendin tonë para 4 vitesh, kur 18 persona rezultuan pozitiv.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: