NGA: SHABAN MURATI
Nëse do të pyetesha përse gjithë kjo heshtje në politikën dhe në mediat e Tiranës për rezolutën alarmante të Parlamentit Europian mbi rrezikun e luftës hibride dhe informative të Rusisë kundër BE dhe Europës, të miratuar në 23 nëntor, përgjigja ime do të ishte “ndikimi i lobit rus në Shqipëri”. Sepse mediat dhe portalet shqiptare, që kanë dy vjet që glorifikojnë Rusinë dhe Putinin çdo ditë, nuk gjetën asnjë hapësirë për të dhënë të paktën lajmin se Parlamenti Europian datën 23 nëntor miratoi rezolutën “Komunikimi Strategjik i BE për të kundër balancuar propagandën anti-BE nga palë të treta”. Shqipëria është shtet kandidat i BE, i cili ka marrë edhe rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, dhe padyshim është i lidhur dhe duhet të jetë i interesuar për çdo akt politik dhe legjislativ, që ndërmerr Parlamenti Europian, dhe që ka të bëjë me interesat dhe vlerat themelore demokratike të BE, ku Shqipëria do të bëhet anëtare.
Rezoluta e Parlamentit Europian ngre disa çështje, që prekin interesa dhe vlera jetike të BE dhe të shteteve, që po kërkojnë të anëtarësohen në BE, dhe u bie kambanave të alarmit në një fushë aq sensitive, si ajo e luftës informative, për të cilën rezoluta thekson se është një fenomen historik po aq i vjetër sa lufta vetë. Rezoluta tërheq vëmendjen se: -pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe luftës hibride të Rusisë në Ukrainën Lindore, Kremlini ka shkallëzuar propagandën dhe lojërat e tij për të forcuar rolin në ambientet mediatike europiane. -propaganda dhe ndërhyrja mediatike e Rusisë është veçanërisht e fuqishme dhe shpesh disproporcionale në vendet e fqinjësisë lindore të BE. -qeveria ruse po angazhon një rrjet të gjerë mjetesh dhe instrumentesh, thinktanke dhe fondacione sociale, pseudoagjenci lajmesh dhe shërbime mediash, grupe fetare dhe sociale. -Rusia po investon mjete financiare kolosale në dezinformacionin e saj dhe në instrumente të propagandës së angazhuar direkt nga shteti ose kompanitë e kontrolluara nga Kremlini. -Kremlini po financon parti politike dhe organizata të tjera brenda BE. -Rusia po mbështet forcat anti-BE, dhe veçanërisht partitë e ekstremit të djathtë, forcat dhe lëvizjet populiste. -Rusia ka kapacitetet dhe qëllimet të ndërmarrë operacione për të destabilizuar vendet e tjera. Kjo bëhet shpesh në formën e mbështetjes për ekstremistët politikë dhe dezinformacionin në shkallë të gjerë. -Rezoluta u bën thirrje qeverive europiane të jenë vigjilente përballë operacioneve informative të Rusisë në Europë.
Parlamenti Europian ngre një alarm të madh europian dhe perëndimor, cili duhet të shkundë institucione, zyra dhe krejt shtetin, lidhur me rreziqet, që vijnë nga lufta hibride e Rusisë në drejtim të vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Kushdo, që e lexon rezolutën e Parlamentit Europian, nuk mund të mos ketë si reflektim të parë të vërtetën se ajo po shpreh një shqetësim të përbashkët për të gjithë vendet europiane, anëtare të BE-së ose jo, anëtarë të NATO-s ose jo. Është e qartë se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit, i përfaqësuar nga BE dhe nga NATO, nuk janë ato që ishin gjatë 24 vjetëve të para dhe pas luftës së ftohtë. Agresioni rus në Ukrainë dhe aneksimi i dhunshëm i Krimesë nga Rusia ishin goditja e 11 shtatorit, që Rusia u bëri marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo do të sillte një raport të ri gjeopolitik dhe strategjik, i cili natyrisht do të merrte edhe forma të reja të sofistikuara. Një nga këto forma është ashtuquajtura luftë hibride, si një kombinim i njëkohshëm i formave diplomatike, ushtarake, subversive, agjenturore, informative, psikologjike, energjetike, financiare, teknologjike, etj. Në botën e sotme të globalizimit, të internetit dhe të kufijve të hapur, u evidentua edhe njëherë roli i rëndësishëm i luftës informative apo propagandistike për të fshehur të vërtetën dhe për të zbukuruar të keqen, për të turbulluar mendjet dhe zemrat e njerëzve dhe për t’i shndërruar ata në ithtarë të së keqes. Rusia ka një përvojë të jashtëzakonshme të luftës ideologjike dhe propagandistike nga koha e perandorisë komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe këtë përvojë e vuri në përdori me një stil dhe formë më të modernizuar pas agresionit rus në Ukrainë. Strategjia e luftës informative apo e dezinformacionit rus, siç thekson edhe rezoluta e Parlamentit Europian, është që të shtrembërojë të vërtetën, të provokojë dyshime, të përçajë BE me partnerët amerikanë, të paralizojë procesin e vendimmarrjes dhe të diskreditojë institucionet e BE dhe të nxisë frikë dhe panik në mesin e qytetarëve të BE. Duhet pranuar se BE nuk është treguar gjithmonë e kujdesshme dhe reflektive ndaj kësaj ofensive masive dhe të heshtur informative dhe propagandistike ruse. Gabimi i parë europian ka qenë mendimi se në mjediset europiane duhet lënë e lirë pa kontroll dhe pa kujdesje ndërhyrja dhe presioni psikologjik dhe ideologjik rus. Gabimi i dytë ka qenë mendimi se Rusia do të kufizohej vetëm në justifikimin e aksionit të saj agresiv në Ukrainë dhe nuk do të shtrihej në një strategji më të madhe diversive në shkallë europiane.
Gabimi i tretë ka qenë mendimi se toleranca europiane ndaj luftës hibride ruse dhe ofensivave të saj dezinformuese drejt Europës do të inkurajonin Moskën për qëndrime më të moderuara në drejtim të shteteve kufitare, anëtare të BE dhe të NATO-s. Por shpresat e një zbutjeje ruse nuk u konfirmuan nga zhvillimet. Mendimi im është se, përtej karakterit propagandistik dhe psikologjik për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve, ambicia e Kremlini u zgjerua me shpejtësi me ndërhyrjen flagrante në jetën e brendshme të vendeve europiane. Rusia gjatë vitit 2016 demonstroi një agresivitet të pashembullt dhe të paparë me ndërhyrjet kibernetike, propagandistike, mediatike, organizative dhe financiare, në jetën elektorale dhe politike të vendeve perëndimore. Ndërhyrja e Rusisë në fushatën e elektorale të referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE dhe ndërhyrja subversive në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, zbuloi se rreziku politik, subversiv, propagandistik, kibernetik, agjenturor dhe i gjithanshëm rus, kishte kapërcyer çdo kufi të mëparshëm, por edhe vijën e kuqe të sovranitetit kombëtarë të vendeve perëndimore, gjë që e ngre nivelin e rrezikut jetik te drita e kuqe. Kur Moska ka shtrirë ambicien e kontrollit dhe të ndërhyrjes së saj në deformimin apo devijimin e proceseve elektorale në shtete të paprekshme si SHBA dhe Britania e Madhe, çfarë do të mund të mendohet për ndërhyrjen ruse në shtete si Bullgaria apo Moldavia, Mali i Zi apo Shqipëria. Ndaj rezoluta e Parlamentit Europiane 23 nëntorit alarmon për një çështje të rëndësisë së veçantë dhe jetike për interesat dhe sovranitetin e shteteve, që janë apo aspirojnë të bëhen anëtare të BE. Europa ndodhet përballë një ofensive masive dhe të thellë të Rusisë për ta dëmtuar në planin gjeopolitik dhe për të krijuar zona të reja influence ruse. Rusia ndodhet në kulmin e një ofensive të gjithanshme, të nëndheshme për të kompensuar në një farë mënyre humbjet gjeopolitike, që pësoi Moska me prishjen e Bashkimit komunist Sovjetik, dhe për të rikthyer sferat e influencës në Europën ish komuniste dhe në Ballkan. Është një situatë emergjente politike dhe psikologjike, në të cilën institucionet dhe instinktet e mbrojtjes kombëtare duhet të zgjohen për profilaksinë e ekzistencës dhe të sovranitetit kombëtar. Rezoluta e Parlamentit Europian ngre një shqetësim real dhe e prish qetësinë e depërtimit dhe të diversionit të Rusisë në drejtim të Europës. Ajo prish rehatinë e forcave politike pro ruse të majta dhe të djathta, prish rehatinë e shoqatave joqeveritare fitimprurëse dhe të instituteve e fondacioneve, që financohen nga Moska, prish rehatinë e subversionit rus në vendet europiane dhe ngre alarmin për agresionin e butë rus në drejtim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve europiane.
Ndaj rezoluta europiane shkaktoi zemërim në Moskë, ku presidenti Vladimir Putin e sulmoi si një degradim politik të vlerave të demokracisë. Po kështu edhe zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zakharova, në konferencën e saj të shtypit, në 24 nëntor, sulmoi rezolutën e Parlamentit Europiansi “përpjekje për të demonizuar Rusinë”. E sulmoi rezolutën edhe presidenti rusofil i Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili në 25 nëntor e quajti atë të çuditshme dhe të pakuptimtë, dhe në shenjë sfide lavdëroi mjetet e propagandës ndërkombëtare ruse, të cilat i kishte kritikuar rezoluta europiane. Solidariteti servil i Beogradit është i kuptueshëm, sepse Serbia është ndër kanalet kryesore të penetrimit subversiv rus në shtetet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Mjafton të lexosh me vëmendje rezolutën e Parlamentit Europian dhe do të konstatosh se në të janë rreshtuar rreziqe, kërcënime dhe veprime të dëmshme, që Rusia po i zhvillon dhe në drejtim të Shqipërisë. Kemi tërhequr pareshtur vëmendjen e institucioneve dhe të lexuesve për format e ndërhyrjes dhe të presionit të lobit rus në Shqipëri. Kemi tërhequr vëmendjen për devijimin antikombëtar të shumë mediave, portaleve dhe shoqatave joqeveritare, që marrin financime nga Rusia. Kemi tërhequr vëmendjen për think-tanke, qendra studimore e institute me orientim pro rus, që janë hapur në Shqipëri këto dy vitet e fundit. Kemi tërhequr vëmendjen për grupet ekstremiste shqiptare, të majta dhe të djathta, që kërkojnë të destabilizojnë Shqipërinë dhe të krijojnë terren për një influencë ruse në vendin tonë. A e dini se nga zyrat shtetërore janë larguar njerëz nga puna, kur e ka kërkuar ambasada e Rusisë? Nuk e di se sa janë dëgjuar këto paralajmërime, por tani keni një dokument zyrtar të BE, rezolutën e posaçme të Parlamentit Europian për rreziqet nga lufta hibride dhe informative ruse.
(Gazeta Shqiptare)