Nuk ka dyshim që të gjithë futbolldashësit në Shqipëri presin të mësojnë se cilën përgjigje do t’i japë Filipo Inzagi drejtuesve të FSHF-së në negociatat që po zhvillon me ta për të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare të futbollit.

Tifozët shqiptarë, të cilët e kujtojnë për golat e tij të shumtë me fanellën e Milanit, shpresojnë për një “po”. Megjithatë, duket se Inzagi për momentin nuk e ka mendjen te pankina ku do të ulet në vijimin e karrierës së tij, por te vitet e kaluara si futbollist, më saktësisht te një prej golave të tij “historikë”.
schermata-2014-11-18-alle-11-14-08-470x271

Ai ka postuar në “Instagram” videon e golit të shënuar 11 vite më parë, në fitoren 2-0 ndaj Republikës Çeke gjatë rrugëtimit të Italisë drejt trofeut në Botërorin 2006. Edhe pse “SuperPipo” e ka kujtuar atë gol si emocion të veçantë pasi kthehej pas shumë kohësh te goli me fanellën e kaltër, për shumë tifozë italianë, ai gol ka hyrë në histori për vrapimin e Simone Barones.

Ky i fundit vrapoi për 60 metra duke pritur pasimin e Inzagit, por sulmuesi, i njohur për individualizmin e tij, injoroi shokun e skuadrës duke kaluar portierin për të realizuar vetë në portë, edhe pse Barone ishte me portën e boshatisur. Tifozët italianë, me humor e kujtojnë vrapimin e Barones si “thuajse golin” më të famshëm në historinë e futbollit./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: