Viki Vaknin, menaxherja e njohur izraelite, pohon për “Panorama Sport” se Armando Sadiku është shumë pranë transferimit te klubi i Makabi Haifa. Media vendëse ka zbuluar se është pikërisht ajo që po bën rolin e ndërmjetëses mes dy klubeve të futbollit: Zyrihut dhe Makabit dhe se puna e saj ka nisur menjëherë pas ndeshjes mes dy kombëtareve, ku Sadiku shkëlqeu me dy gola të shënuar.

Menaxheria izraelite
Menaxheria izraelite

KONFIRMIMI
“Po, është e vërtetë që ka një interesim konkret nga ana e klubit të Makabi Haifa kundrejt Sadikut. Deri tani bisedimet kanë ecur mirë, jo vetëm mes klubit dhe lojtarit, por edhe mes dy klubeve sa i përket vlerës së kartonit.

Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë sa i përket përfundimit zyrtar të marrëveshjes. Nuk mund të them më tepër detaje, sepse nuk jam e autorizuar nga asnjëra prej palëve”, deklaroi fillimisht Vaknin për gazetën.

DERBI HEBRE ME HAPOEL BER SHEVËN
Menaxherja, e cila dikur kishte në patronazh edhe Hamdi Salihin sa u përket ofertave që ai merrte nga Izraeli, ka pohuar se së fundmi janë futur në lojë edhe agjentët e klubit kampion, Hapeol Ber Sheva, por gjithsesi Makabi Haifa mbetet favorit për të marrë shërbimet e Sadikut.

“Po, është e vërtetë. Së fundmi ka shfaqur interesim edhe Hapoel Ber Sheva, madje mund të them se oferta e të dy klubeve ka qenë interesante, por personalisht mendoj se Makabi Haifa është më pranë lojtarit.

Gjithsesi të shohim, sepse në merkato nuk ka asgjë të sigurt”, ka deklaruar menaxherja simpatike për “Panorama Sport”. Media izraelite bën me dije se shuma që do të përfitojë Sadiku në vit është afro 500 mijë euro, ndërkohë që oferta është 2-vjeçare me opsion rinovimi./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb