SHKODER- Situata në të cilën ndodhet familja e Marjana Begut nuk është e panjohur për Bashkinë e Shkodrës. Madje Bashkia hedh poshtë pretendimet e nënës së këngëtares, sipas së cilës, familja nuk ka gjetur mbështetjen te pushteti vendor.

Zëdhënësja e Bashkisë së Shkodrës, në një reagim pas transmetimit të kronikës në “News24, shprehet se ka ndërhyrë për të fuqizuar dhe mbështetur familjen e këngëtares që fitoi çmimin e parë tek “Gjeniu i Vogël”, por është refuzuar.

“Për këtë familje nga ana jonë është realizuar një plan ndërhyrje me qëllim përmirësimin e situatës së kësaj familje. Këto ndërhyrje konsistojnë në ndihma emergjente si pajisje dhe pako ushqimore për familjen, e cila gjithashtu është përfshirë në programin e fuqizimit të familjes duke i ofruar edhe mundësi punësimi, formim profesional, por që janë refuzuar nga këta shtetas, Gjithashtu kësaj familje i është ofruar edhe mundësi për të aplikuar në bonus strehimi, e cila është refuzuar nga këta shtetas”, shprehet zëdhënësja e Bashkisë së Shkodrës.

Pavarësisht kësaj Bashkia shpreh solidaritet për të nxjerrë nga mjerimi familjen Begu duke e mbështetur për përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale.

Bashkia Shkodër është në mbështetje të plotë për përmirësimin e gjendjes së jetesës së kësaj familje, dhe situatës së tyre ekonomike. Dhe do të vazhdojë të mbështesë familjen në përfitimin e programit të strehimit me bonus qiraje, gjë që është një ndihmë mjaft e madhe për familjen. Po kështu punësim për anëtarët mazhorenë të kësaj familje”, vijoi ajo.

Vajza e talentuar shkodrane, e cila fitoi konkursin “Gjeniu i vogël”, jeton në kushte të mjerueshme. Prej 3-4 vitesh ajo nuk ka një banesë pasi shtëpia e saj është shkatërruar plotësisht. Nëna e vajzës tregoi se kërkesat e saj në bashki nuk kanë vlejtur asgjë ndërsa pas reagimit të Bashkisë ky pretendim bëhet i dyshimtë, dhe mbetet pa përgjigje pyetja se përse ajo nuk ka pranuar ndihmën që Bashkia thotë se i ka ofruar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: