Situata në klubin e Interit lë për të dëshiruar pasi edhe dje nuk arriti të dilte me pikë ndaj një kundërshtari si Genoa. Zikaltërit në 7 javët e fundit kanë arritur të marrin vetëm dy pikë duke regjistruar një ecuri tejet negative.

I ftuar në “La Domenica Sportiva”, trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, është shprehur se nuk e sheh problemin tek aftësitë teknike të lojtarëve, por tek ato njerëzorë. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje që të bazojnë zgjedhjet e tyre te cilësia njerëzore dhe jo detyrimisht vetëm te cilësia teknike.

“Pas periudhës së ‘Tripletës’ të Zhoze Murinjos, Interi nuk kishte ndonjë paraqitje kushedi se çfarë. Çdo trajner që ka ardhur në klub nuk ka dhënë ndonjë ndikim të madh.

Problemi nuk është në aspektin teknik, por të bashkosh lojtarë nga vende të ndryshme dhe t’i bësh të përjetojnë frymën e skuadrës në një mënyrë tjetër, duhet rikrijuar grupi.

Para se të blejnë lojtarët sipas nivelit teknik, duhet blerë njeriu. Nëse ke njerëz në skuadër siguron rezultate edhe nëse nuk ke kampionë”, u shpreh De Biazi.
Kujtojmë që trajneri i kombëtares në periudhën e tij si futbollist ka qenë pjesë e zikaltërve.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: