Pas golit tronditës ndaj Francës, që i dha Portugalisë fitoren në kohën shtesë, për të ngritur trofeun e Kampionit të Europës, trajneri i ekipit portugez, Fernando Santos ka përshëndetur sulmuesin Eder, për transformimin e tij, nga një bibë e shëmtuar, në një mjelmë të bukur.

Santos u desh të përballej me një krizë të ekipit të tij, pas daljes së parakohshme nga loja, e kapitenit dhe talizmanit të Portugalisë, Cristiano Ronaldo, për shkak të atij dëmtimi në gju, të pësuar që në pjesën e parë. Portugalia arriti t’i shpëtojë shtyllës së Andre-Pierre Gignac në fillimin e kohës ekstra, teksa 90 minutat përfunduar me portat e paprekura.

Ekipi i Santosit, si për magji u rishfaq më fuqishëm në kohën shtesë, dhe pas asaj goditje drithëruese të Raphael Guerreriros nga goditja e dënimit, sulmuesi zëvendësues, Eder, shigjetoi një goditje të pandalshme nga gati 23 metra, për ta finalizuar në këndin e poshtë të portës dhe për t’i dhënë start festimeve të çmendura.
Futbollisti 28-vjeçar dështoi keqazi sezonin e kaluar te Swansea City, para se të rigjallëronte karrierën e tij në Francë, pikërisht në Ligue 1 me skuadrën e Lille, madje trajneri Santos tregon se Eder-it nuk i mungonte vetëbesimi kur u fut në fushën e “Stade de France”.

“Kur nxorra Cristianon jashtë, mendova të fus në fushë menjëherë Eder, por në atë moment mendova se duhej të ndryshonim lojën, ndaj dhe lëviza Nanin në qendër, në mënyrë që të bënte lojën e tij të shpejtë. Por ne na nevojitej dikush aty para, që të lejonte ekipin të dilte në sulm. Na nevojitej dikush që të luante në lojën në ajër, për t’ia vështirësuar punën Francës më vonë. Kur erdhi radha e tij që të futej në fushë, ai i tha se do të shënonte dhe biba e shëmtuar shënoi. Tani ai është një mjelmë e bukur, shpjegoi takticieni fitues. (telesport)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: