GREQI– “Do ta kemi të vështirë në atë që na pret, që tani paratë mezi mjaftojnë”, thotë pronari i kioskës, Fanis Kalatzis. Që prej 20 vjetësh e mban ai biznesin, por sot po lufton për ekzistencën. Të ardhurat e tij janë në rënie, kurse shpenzimet rriten. Për të mos folur për heqjen e subvencioneve të dikurshme të majme për shitjen e cigareve. Sikur të mos mjaftonin këto, kërcënon edhe konkurenca e padëshiruar nga koncernet e mëdha, që vitet e fundit i blejnë të gjitha kioskat në Athinë dhe i menaxhojnë pastaj vetë.

Për një luftëtar të vetmuar si Kalatzis nuk priten përmirësime. Përkundrazi: për ta përfunduar verifikimin në vazhdim nga donatorët të përpjekjeve të saj për reformën, qeveria e Athinës solli të dielën në Parlament (13.05.2017) masa kursimi në shumën mbi 4,5 miliardë euro.

Parashikohen kursime sociale, një ulje e shumës së përjashtimit tatimor dhe shkurtime të reja të pensioneve. Një koalicion qeveritar i vogël, por i disiplinuar do t’i miratojë të enjten detyrimet për kursim. Ato janë parakusht për ndihma të tjera financiare. Zgjedhësit i ngushëllojnë me gjoja masa kompensuese sociale. Me këtë kihen parasysh subvencione për qiraxhinjtë dhe ulje të taksave që prej vitit 2020, për të cilat do të votohet po të enjten.

Grevë e përgjithshme të mërkurën
Me këtë truk, qeveria do t’u mbushë mendjen të prekurve, që në fund të fundit ata nuk do të rëndohen sërish: humbjet në të ardhura do të kompensohen nga “masat kompensuese”. Pronari i kioskës, Kalatzis kalon në ironi:”Ata nuk e besojnë as vetë, çfarë na thonë”, thotë babai i familjes. Dhe shton: “Njerëzit tani kthehen përfundimisht në realitet. Ka kaluar koha e të ashtuquajturve çudibërës në politikë, të cilët na premtuan se pas fitores në zgjedhje do t’i bënin të gjitha ndryshe.”

Me këto ndërgjegjësime për realitetin, sindikatat nuk janë të kënaqura dhe kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme të mërkurën (17.5.2017). Detarët dolën që të martën në grevë, me pasojë që për 48 orë në Greqi nuk qarkullojnë tragetet. Edhe vetë ushtarakët grekë duan të dalin në grevë. Asgjë e pazakontë, beson koloneli Anestis Tsoukarakis: “Tani u mbush kupa. Që prej shpërthimit të krizës ne kemi pasur rënie page prej 40 deri 50 përqind, megjithëse këto shkurtime qenë të kundërligjshme, sipas Gjykatës më të Lartë Administrative”, ankohet oficeri në bisedë me DW. Po si paraqitet puna me detyrimin për besnikëri të pjesëtarëve të ushtrisë? “Natyrisht që ne nuk lejohemi të dalim në grevë. Por në bazë të kushtetutës, çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në një manifestim proteste – me uniformë apo pa uniformë”./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: