* Pronarët, biznesmenë që kanë restorante dhe hotele
*Banorët kanë parë oficerë dhe policë lokal afër parcelave
* Parcelat nuk mund të identifikohen nga ajri
*Banorët e kanë denoncuar rastin edhe nëpërmjet komisariatit dixhital

TIRANË- News24 sjell sot pamje ekskluzive parcelash me kanabis të pakorrur ende nga policia. Pamjet e transmetuara, sjellin imazhe të parcelave me kanabis në zonën e Devollit, afër kufirit me Greqinë ndërsa mbajnë autorësinë e grupit të këtij televizioni, gazetarit Artan Hoxha dhe kameramanit Ervin Daja. Filmimet janë bërë dy ditë më parë, pra në datën 19 shtator 2015. Nga filmimi duket qartë se parcelat ruhen nga persona të armatosur, të cilët dyshohet se kanë lidhje me policinë.

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë një rrëfim të gjithë udhëtimit të tij dhe operatorit Ervin Daja, deri në gjetjen e parcelave të kanabisit. Bëhet fjalë për një zonë në rrethin e Devollit në varësi të Komisariatit të Bilishtit. Hoxha sjell detaje tronditëse nga gjithë ky investigim, duke deklaruar se parcelat ishin në pronësi të dy biznesmenëve, ndërsa ngre dyshime të forta se policia ishte në dijeni të tyre, pasi kontrollonte çdo makinë që nuk ishte e zonës.

Artan Hoxha thotë se: Përsëritet e njëjta betejë e një lufte që nuk mbaron. Policia ka fituar betejën e kësaj vere, por jo luftën vjetore me narkotrafikantët. Qëllimi jonë ka qenë që të provojmë me pamje filmike se si këtë vit kultivuesit e narkotikëve dhe ata që e financojnë e kanë shtrirë këtë biznes të paligjshëm nga Lazarati në të gjithë territorin, në mënyrë që policia të mos ketë mundësi të kontrollojë çdo parcelë me kanabis. Në këtë kohë vitet e kaluara kishte mbaruar korrja. Shkuam në një zonë ku dyshojmë se narko-trafikantët kanë lidhje me pjesëtarë apo oficerë të policisë lokale. Kemi qenë në rrethin e Devollit, që e përfshin komisariati i Bilishtit. Zona ku kemi shkuar është shumë afër me kufirin grek. Kemi patur mundësi të shkonim në disa territore të tjera, duke filluar nga Shkodra, Tepelena, Përmeti dhe Skrapari. Por kemi zgjedhur këtë zonë për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Në rastin konkret kemi pasur kujdes, duke patur parasysh që zona ku ishte kultivuar ishte e thellë, e gjelbëruar gjatë gjithë vitit dhe ku mund të rrezikoheshim fizikisht. Pasi kemi marrë informacionin nga informatori, gjithë pjesën tjetër e kemi bërë vetë. Personi që na ka dhënë informacionin tha se ka patur të shtëna me armë një ditë para se të shkonim ne. Kultivuesit nuk lejonin as banorët të shkonin në atë zonë për dru. Pronarët e dyshuar të këtyre parcelave janë biznesmenë që kanë restorante dhe hotele në qarkun e Korçës. Kemi dyshime për lidhjet e tyre me policinë për shkak të dëshmive që na dhanë banorët e zonës, por nuk kemi prova video dhe audio që të akuzoj direkt drejtues të policisë lokale. Sipas dëshmive të banorëve në atë zonë, çdo makinë që nuk ishte e banorëve lokalë ndalohej nga policia, në mënyrë që të mos futej asnjë person i dyshimtë që mund të grabiste apo dëmtonte parcelat me kanabis. Kemi ecur në një zonë të pyllëzuar sepse mund të na qëllonin me armë. Në atë zonë nuk kishte valë celulari të kompanive shqiptare por vetëm të atyre greke. Kemi parë edhe me mjete optike ku ndodheshin rojet e kanabisit. Ata kishin një organizim mbreslënës. Në shtigjet që të conin drej parcelave me kanabis, kishin vendosur shkarpa të thata, që zhurma e tyre ti sinjalizonte për lëvizjen e personave të panjohur. Ne pamë një nga vendrojet e personave të armatosur. Për shkak të zhurmës që shkaktuam roja i kanabisit, kujtoi se ishim efektivë të policisë dhe u largua me shpejtësi. Gjetëm veshjet e tij, ujë, pije energjike, ushqime dhe një sëpatë. Po ashtu kishte disa fije plastike që shërbenin për të lidhur bimët narkotike. Uji ishte ende i ftohtë edhe pse ishte shumë nxehtë, gjë që tregon se ai kishte qënë aty deri në momentin që shkuam ne. Rreziku për të na qëlluar me armë zjarri ishte permanent në çdo kohë, por u munduam që duke përshkuar dyfishin e rrugës ti kapnim në befasi”.

Në rrëfimin e tij, gazetari Hoxha thotë se ka vezhguar fillimisht nga larg zonën ku kultivohej kanabisi, dhe kanë parë aty dy roje. “Bëra zhurmë qëllimisht që roja të kuptonte se po i afrohej dikush nga mbrapa. Për fat të mirë ai u largua, pasi mund të ketë kujtuar se ishim efektiv të policisë. Nuk ka shanse që këtë zonë ta identifikosh me mjete ajrore…Bima narkotike i kalon edhe 3 metra. Gjatë vëzhgimit vura re një fenomen të pakonstatuar më herët, që bima ishte prerë në krye që ti jepte mundësi rritjes së degeve anësore, në mënyrë që të prodhonte boçe të reja kanabisi”….

Hoxha thotë se për shkak të gjelbërimit të denduar, zonës së thellë, bimët narkotike nuk mund të identifikohen nga aeroplani antidrogë i misionit Interforce të policisë italiane, apo nga helikopteri i Ministrisë së Brendshme. Por duke iu referuar dëshmitarëve, shton se aty janë parë policë dhe apo inspektorë policie që mbulojnë zonën. “Informatori im por dhe të tjerë kanë njoftuar edhe nëpërmjet komisariatit dixhital se në atë zonë dyshohet se ka lëndë narkotike. Se trafikantet aty nuk lejonin banorët e fshatit të kullosin bagëtitë apo të presin dru, madje shpeshherë kur janë afruar është qëlluar me armë në ajër…Banorët kanë deshmuar se kane parë edhe policë apo oficerë të policisë lokale.. por këtë se kemi të faktuar me pamje”.

“Kam arsyen dhe bindjen që policia lokale ka patur informacion për kultivimin e lëndës narkotike. Nga dëshmitë që na thanë banorët, këto parcela janë mbjellë nga persona që kanë lidhje me policinë lokale dhe që kanë mbështetje politike. I bëj apel SHKB-së ta investigojë këtë që ka ndodhur në komisariatin e Bilishtit. Por nuk mund të them të njejtën gjë për Drejtorinë e Policisç Korcë, apo tre komisariatët e tjera të këtij qarku. Pasi po atë ditë policia e Korçës, asgjësoi mbi 1700 rrënjë kanabis në 3 fshatra të tjerë, në zona më të thella nga ajo ku ishim ne. Qarku i Korçës nuk është problematik në kultivimin e kanabisit, por në rastin konkret shkuam aty pasi kultivimi bëhej nga një grup i strukturuar, nëse nuk ke mbështetje brenda radhëve të policisë nuk ke se si e bën gjithë atë investim”.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb