TIRANE- Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka komentuar situatën politike në vend, pas vendimit të kryeministrit Rama për të shkarkuar 4 ministra, duke sjellë më pas 4 emra të rinj. Sa i takon qëndrimin të Presidentit Nishani për të dekretuar emërimet, Koçi thotë se nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të prishet raporti me Presidentit dhe Qeverisë.

Duke folur në rubrikën “Opinion” në “News24”, kreu i Partisë Socialiste e Vërtetë ’91 thotë se nuk ka arsye që Presidenti Nishani të mos dekretojë 4 ministrat e propozuar, dhe aq më pak sipas tij, Fatmir Xhafajn, në postin e ministrit të Brendshëm.

“Presidenti në njëfarë mënyrë është një noter formal i formimit të qeverisë, nuk është komision hetimor që shikon kriteret dhe cilësitë e kandidatëve. Për mendimin tim, e vetmja gjë që mund të bëjë një president, të mos dekretojë anëtarë qeverie apo të Forcave të Armatosura, është nëse gjatë ditëve që pritet emërimi e tyre të dalë ndonjë fakt se personi është agjent i një vendi të huaj. Të tjerat do ishin shpërdorim detyre. Besoj se nuk ka asnjë arsye që të refuzojë asnjë nga kandidaturat e propozuara. Aq më pak zotin Xhafaj, që ka qenë ministër, deputet, nuk ka arsye. Nëse Nishani nuk e dekreton do të ishte një qëndrim i pastër politik, do të mbante krahun e PD. Do të prishej raporti mes Presidentit dhe Qeverisë. Deri më tani, Nishani është treguar gjithnjë njëpartiak i bindur i PD, dhe gjithmonë ka lëvizur paralelisht me të”, tha Koçi.

Teksa ka komentuar kërkesat e përsëritura të opozitës nga çadra e protestës, Koçi tha se janë absurde, pasi sipas tij zgjedhjet zhvillohen sipas standardeve kushtetuese, dhe jo sipas kërkesave të partive.

“Zgjedhjet zhvillohen në përputhje me standardet kushtetuese dhe ligjore. Zgjedhjet janë një çështje e cila nuk vendoset nga partitë. Kemi të bëjmë me demonstrimin e mentalitetit të partisë –shtet, ose partisë mbi shtetin. Mentaliteti i Bashës është se partia mund ta rrëzojë shtetin. Basha nuk ka thënë nuk do hyjmë në zgjedhje. Ai thotë do ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, dhe garant do të jetë ai. Por garant s’mund të jetë vetëm një nga palët. Nuk e bën qeveria administrimin e zgjedhjeve, por KQZ”, tha ai.

Sa i takon qëndrimeve më të fundit të LSI, Petro Koçi tha se i sheh ato si qëllime elektorale, për të fituar sa më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme.

“Qëndrimet e disa eksponentëve të LSI kanë qëllime elektorale, ata përpiqen të kapin të pakënaqurit nga qeverisja e deritanishme. Këto vota nuk i kalojnë opozitës, por synojnë që t’i kalojnë LSI-së”, u shpreh ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Petro Koçi tha se ky Parlament do të zgjedhë presidentin e ri, ashtu siç e parashikon Kushtetuta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb