SPANJE– Viktima më e vogël e sulmit të djeshëm me furgon në Barcelonë është një 3 vjeçare spanjolle, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur.

Vogëlushja ndodhej së bashku me nënën dhe dajën e kësaj të fundit në momentin kur një furgon mori para turmën mesditën e djeshme në sheshin kryesor të Barcelonës, ku mbetën të vdekur 14 persona dhe u plagosën 50 të tjerë.

Gjithashtu të vdekur nga sulmi mbetën daja 65 vjeç Francisco Lopez Rodriguez dhe nëna e vogëlushes. Ndërkohë bashkëshortja e tij ndodhet në spital e plagosur rëndë.

“Daily Mail” publikon fotot dhe emrat e disa prej viktimave të sulmit të tmerrshëm. 35-vjeçari italian, Bruno Gulotta i cili ndodhej në Barcelonë me bashkëshorten dhe dy fëmjët është një prej vitimave. Fëmijët dhe bashkëshortja shpëtuan për mrekulli.

Nga sulmi mbetii vdekur dhe një tjetër italian, Luca Russo. I riu italian shoqërohej nga e dashura e cila mbeti e plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

44-vjeçarja nga Belgjika Elke Vanbockrijck, e cila ndodhej me pushime me bashkëshortin dhe fëmijët është një tjetër nga viktimat. Ndërkohë “Daily Mail” shkruan se një 6-vjeçare, nacionaliteti i së cilës nuk bëhet i ditur ndodhet në spital në gjendje të rëndë. I humbur rezulton dhe 7-vjeçari Julian Cadman, i cili mendohet se është nga Britania e Madhe.

Heidi Nunes nga California, SHBA ka shkruar online se ka humbur kontaktet me bashkëshortin e saj Jared Tucker, 43 vjeç, i cili ndodhej dje në Barcelonë në të njëjtin vend ku ndodhi sulmi.

Ndërkohë, në shenjë nderimi të viktimave, mijëra njerëz u mblodhën në sheshin kryesor të Barcelonës, ndërsa autoritetet spanjolle kanë shpallur 3 ditë zie kombëtare.

Sulmi u mor përsipër nga terroristët e ISIS, ndërsa gjatë natës policia parandaloi një tjetër sulm në zonën turistike të Cambrils, duke vrarë pesë të dyshuar si terroristë që mbanin rripa vetëvrasës në brez, të cilët tentuan sërish të përdornin një furgon për të hyrë mes turmës së njerëzve.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb