Nga: FATMIRA NIKOLLI
TIRANE – Dy shtete, një epos dhe zero lek për kërkime që u bënë me punë vullnetare nga emra të njohur të shkencës!
Është prezantuar dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dosja e Eposit të Kreshnikëve. Aktiviteti qe titulluar “Eposi shqiptari Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit”, dhe grupi i punës i përbërë nga Prof. dr. Zymer Neziri, prof. Vasil S. Tole dhe Prof.Dr. Shaban Sinani kanë prezantuar punën e bërë ndër vite, rezultatet e kërkimeve në terren. Njëherësh, dje ishte edhe aktiviteti përurues për dosjen shkencore të regjistrimit të projektit “Eposi Shqiptar i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” në programin e UNESCO-s “Kryevlera të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit”, vlerësuar me çmimin vjetor të Bashkimit Europian “Europa Nostra”.

Ndërsa dosja është gati, fakti që Kosova nuk është pjesë e UNESCO-s dhe si rrjedhojë nuk ka ratifikuar marrëveshjet që ajo kërkon(për rrjedhojë nuk i zbaton në territorin e saj për pasurinë shpirtërore), aplikimi për Eposin, është i pamundur. Kosova nuk mund të aplikojë me dosje në UNESCO, pasi Kosova nuk është vetë si shtet ende pjesë e UNESCO-s. Është ende e freskët koha kur Kosova mbeti jashtë saj për vetëm 3 vota, për çka faji iu hodh diplomacisë asokohe. Veçse ky “detaj”, tanimë lë jashtë mbrojtjes si pasuri e njerëzimit, edhe vetë Eposin e Kreshnikëve, në mos dosjen e gatshme pranë “The United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization” (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukatë, Shkencë e Kulturë) e dorëzon Shqipëria. Kjo do të mund të bëhej me një leje ose bashkëpunim mes shteteve. Kemi parasysh që UNESCO njeh edhe “dukurinë në grup” për të cilën aplikon një shtet, duke dokumentuar dukurinë brenda kufijve të saj dhe më pas, kur të vijë radha e shtetit tjetër, ai me një leje formale dokumenton dukurinë brenda kufijve të vet.

Megjithëkëtë, dje asnjë palë nuk e përmendi këtë problematikë, që here-herë shkon në “kufijtë e blasfemisë” e përplasjes pa zë mes dy shteteve, përplasje që askush nuk e ka pranuar, as më herët, as dje, kur grupi i punës u pyet hapur, pse nuk është kërkuar as ndihmë financiare as ndihmë përmes rrugëve të diplomacisë nga Shqipëria? Konferenca e djeshme, nxori në pah detaje të reja që kanë dalë në dritë gjatë punës kërkimore në terren.

SHABAN SINANI: RISITË NGA KËRKIMI
Në fjalën e tij, para mediave Prof. dr. Shaban Sinani tha se “Republika e Kosovës nuk ka ndonjë pengesë përjashtuese, pavarësisht se nuk është anëtare e UNESCO-s. Momentalisht nisma është në emër të qeverisë së Kosovës ndërsa Shqipëria është mbështetëse e saj. Nuk ka vende të tjera bashkëpropozuese”.
Sipas tij, Eposi shqiptar në pesë shtete të Ballkanit është në kuptimin e kërkimit vërtetues që kjo pasuri bën jetë të gjallë edhe sot, jashtë improvizimit dhe jashtë skemës, që është kusht themelor i UNESCO-s. “Ajo nuk pranon pasuri të ngrira. Nëse pasuritë bëjnë jetë në mjedisin tradicional jo në skenë dhe përpara mikrofonit, pranohet, përndryshe jo. Kërkimi ynë, i grupit të punës dhe bashkëpunëtorëve ka qenë që nga Sanxhaku në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, që nga Shkumbini deri në skajin më verior ku ka shkuar lahuta shqiptare”.

Shaban Sinani shtoi se “kërkimi ynë në këtë fazë qe edhe një certifikim i gjendjes së përhapjes së eposit në hapësirën shqiptare. Në fakt, të dhënat që kanë dalë korrigjojnë disa teza të mëparshme që ka vetëm një vatër të eposit dhe korrigjojnë shtrirjen horizontale të tij, ai shkon deri në Kërçovë, korrigjojnë në mënyrë te veçantë konceptin e mëparshëm që eposi është vetëm monofonik, jo në Maqedoni është konstatuar edhe me dy zëra e me dy lahuta, korrigjojnë edhe konstatimin që eposi nuk zbret nën lumin Mat, jo ai zbret nën të. Nuk është fjala për ata lahutarë që kanë zbritur në qytete, është fjala për vendës që luajnë me lahutë për shembull në Martanesh. Sigurisht nuk mbijeton në formën që ka qenë ne shekullin e 19-të kur e mblodhën fretërit françeskanë dhe pastaj dy homerologët e famshëm të Harvardit, por ekziston”.

Sipas tij, vërejtja që ka pak veprimtari përveç konkursit “Lahutari” në Lezhë, është me vend, e mosha e madhe e bartësve po ashtu. “Tani nuk po shohim më që të ketë një vazhdimësi të brezave. Edhe sot kur lahuta hyn për herë të parë në Akademinë e Shkencave nga lahutari Isë Murriqi, në bisedën që pata me të, tha se të bijtë dhe nipërit nuk dëshirojnë të luajnë më me lahutë dhe është një kohë kur komunikimi është shumë intensiv dhe çdo brez i ngjan kohës së vet”.

VOTA NË UNESCO
Votimi në UNESCO? Për Sinanin, dosja e Eposit nuk gjykohet më nga pikëpamja shkencore dhe kulturore. Nuk ka më komisione që mblidhen për të dhënë mendim është apo jo e gatshme kjo dosje për ta regjistruar eposin. “Ajo është e certifikuar, ka marrë të gjitha oponencat ndërkombëtare. Jemi në fazën e votimit diplomatik, e ky është votim përfaqësues që nuk bëhet as nga shkencëtarët, as nga relatorët, as nga studiuesit, as nga oponentët, ai bëhet nga shtetet dhe këtu lind problemi se si do të kapërcehet ajo votë që i ka munguar Kosovës në UNESCO dhe çfarë do të bëjë diplomacia shqiptare që të sigurojë minimalisht pesë vota plus”.

I pyetur, nëse do ketë probleme nga shtetet ku shtrihet eposi aktualisht, ai tha se kjo nuk përjashtohet. “Ju e dini që ka shumë xhelozi për Eposin. Eposi nuk ekziston vetëm te shqiptarët, eposi dhe lahuta ose një lloj lahute që serbët e quajnë Gusla ekziston edhe te malazezët, te serbët e boshnjakët, që kanë shumë paralele me eposin shqiptar. Xhelozi do të ketë pa diskutim, por kjo nuk varet nga ato pesë vota ballkanike, varet nga shumë të tjera. Nuk dua të paragjykoj si do jetë vota e tyre, por, serbëve dhe malazezëve do t’u vinte mirë që eposi i tyre të ishte në UNESCO”.
Pyetjes: nëse grupi i punës i ka kërkuar ndihmë nga shteti shqiptar që ky i fundit të vërë në lëvizje diplomacinë dhe, nëse në këtë pikë ka përplasje Shqipëri-Kosovë, Shabani iu përgjigj negativisht. “Nuk ka përplasje. E gjithë puna jonë është një punë pa shpërblim, punë e jona dhe e bashkëpunëtorëve tanë me zero lekë buxhet. Nuk ka asnjë kontribut përveç atij shkencor. Institucionet kanë punuar për dy konferenca, kanë vënë në shërbim të projektit mundësitë intelektuale, nuk ka asnjë zë buxheti në asnjë institucion”.

I pyetur pse nuk i është kërkuat ndihmë Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Sinani tha se “kontaktet në nivelin politik janë mbajtur në nivelin politik, ka pasur takime mes ministrive të Kulturës dhe drejtorëve të Trashëgimisë dhe ka qenë jashtë interesit tim kontakti me ta. Mua më është kërkuar të bëj plotësimin e zërit shkencor të Eposit dhe të një pyetësori që është mjaft voluminoze me qindra pyetje, që e fusin studiuesin në grackë, sepse, nëse jep një përgjigje inkoherente, ndaj një pyetje dhe një përgjigje të mëparshme, hedh poshtë punën”.

PUNË PA PARA
Sinani pranoi se ka shkuar në terren për të mbledhur të dhëna një herë 10 ditë. Mandej nëse pamundësia financiare e ka cunguar dosjen dhe përpilimin e saj, Sinani tha se kjo nuk është një pyetje për të. “Unë kam bërë punën akademike, që do të thotë të provosh, se Eposi është origjinal, i papërsëritshëm, është shtim në pasurinë e njerëzimit, është pasuri e gjallë, jo skenike, jo e improvizuar, jeton në kontekstin e vet të domosdoshëm bashkë me kullën, me ritet, me kuzhinën, me veshjen. Ndoshta drejtuesi i grupit të punës që është bartës i buxhetit modest mund të përgjigjet”.
Zymer Neziri
Prof. dr. Zymer Neziri, kryetar i grupit të punës, tha se dosja u përgatit dhe se në UNESCO duhet të shkosh me materiale dhe tanimë ata kanë një dosje me 5 mijë faqe A4. “Tirana nuk mori pjesë në financim, sepse nuk iu kërkua, iu kërkua Prishtinës. Ajo e kreu pjesën e vet si e kreu. Projekti doli më i madh se sa u parashikua. Janë 275 ditë pune terreni”, tha Neziri. Ai mohoi të ketë pasur përplasje mes dy shteteve. “Nuk ka pasur përplasje. Dosja filloi me dy anëtarë nga Shqipëria e një nga Kosova. Barrën e madhe e pat Tirana me prof. Shaban Sinanin dhe prof. Vaso Tolen si edhe unë. Punën e mbaruam besoj brenda afatit. Janë kryer dy dosjet e para pa financim, ndërsa filmi dokumentar është kryer me 12 mijë euro nga Kosova. Dosjet e hulumtimit në terren dhe ato të përgatitjes në terren janë bërë pa para”.
I pyetur për votimin në UNESCO, Neziri tha se “votimi nuk është pengesë, se dëshmia është me rëndësi”.
ÇMIMI “EUROPA NOSTRA”
Dosja e Eposit, është vlerësuar me çmimin vjetor të Bashkimit Europian “Europa Nostra”. Ndërsa dorëzoi dokumentin, Lida Miraj tha para të pranishmëve se historikisht është shënuar se viti i fillimit të mbledhjes së eposit daton më 1897, nga albanologu Gustav Meyer, dhe deri më 2012 kanë qenë mbledhur 500 000 vargje, por projekti i Prof. Nezirit dhe gjithë ekipit, realizuar në vitet 2012-2014, ka shtuar në fondin kombëtar edhe 100 mijë vargje të tjera, ka shtuar 440 këngë, 69 tregime, dhe rreth 65 mijë vargje xhirime me kamera, gjë që nuk është punë e lehtë.
Nuk duhet harruar kontributi i At Gjergj Fishtës, At Shtjefën Gjeçovit, At Klement Miraj, etj. dhe botimet e tyre tek “Hylli i Dritës”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb