Pesë deputetë suedezë paraqitën një padi duke akuzuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në zonat e populluara nga kurdët në Turqi. Akuzat vijnë nga deputetë të partive të majta në Suedi dhe kanë të bëjnë me krimet që janë kryer në juglindje të Turqisë, ku po lufton ushtria Turke dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një organizatë e shpallur terroriste edhe nga Europa dhe SHBA-të.

Mijëra persona kanë humbur jetën dhe qindra shtëpi u kthyen në të pabanueshme që prej përfundimit të armëpushimit të brishtë në vitin 2015. Sipas ligjvënësve, për Erdoganin mund të shpallet urdhër-arrest në Suedi nëse prokurorët vendorë vendosin në nisin hetimet.Njëri prej deputetëve denoncues, Carl Schlyter tha se shpresonte që kolegët e tij në vendet e tjera të BE-së të ndiqnin të njëjtën rrugë. Shumë ministra turq u penguan së fundmi të organizojnë mitingje në Evropë pas tensioneve mes BE-së dhe Ankarasë.

E përditshmja izraelite “Haaretz” thotë se kjo padi është e para në llojin e saj kundër një kreu shteti në Suedi. Një ligj i miratuar në vitin 2014 lejon gjyqtarët të shqyrtojnë krimet kundër njerëzimit kudo në botë, pavarësisht të akuzuarit si autor. Ligji specifikon se çdokush që kryen vrasje në mënyrë që të shkatërrojë plotësisht ose pjesërisht një grup etnik është fajtor për “gjenocid”. Kurdët, të cilët besohet se janë rreth 15 milionë në Turqi, kërkojnë më shumë të drejta politike në vend.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb