ANKARA- Komanda e Forcave Detare të Turqisë ka dërguar një anije luftarake në jug të Detit Egje pas pretendimeve se nga anijet e sigurisë bregdetare të Greqisë është hapur zjarr ndaj një anijeje me flamur turk, teksa paraprakisht edhe Komanda e Sigurisë Bregdetare e Turqisë dërgoi dy anije, raporton Anadolu Agency.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të Ministrisë së Brendshme të Turqisë, pas pretendimeve se ndaj anijes së mallrave me flamur turk me emrin “ACT” që po lundronte në ujërat ndërkombëtare të Detit Egje është hapur zjarr nga anija e sigurisë bregdetare të Greqisë në ujërat e Rodosit, në vendin e ngjarjes janë dërguar dy anije të Komandës së Sigurës Bregdetare të Turqisë.

Mësohet se ekuipazhi i anijes turke është sjellë në ujërat territoriale të Turqisë i shoqëruar nga ekipet e Komandës së Sigurisë Bregdetare të Marmarisit, ndërsa prej tyre do të merret deklaratë lidhur me rastin. Theksohet se në anije ka gjurmë plumbash dhe se nuk ka persona të plagosur.

Burimet diplomatike theksojnë se janë në kontakt me institucionet relevante.
Ndërkaq, përveç dy anijeve të Komandës së Sigurisë Bregdetare, në rajon menjëherë është dërguar edhe një anije luftarake e Komandës së Forcave Detare të Turqisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb