TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, ka akuzuar kreun e Bashkisë Lulzim Basha se nuk ka mbajtur premtimet e bëra për kryeqytetin. Në një deklaratë për mediat, deputeti socialist i shpreh se në 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë për Tiranën. Sipas Bushatit, qytetarët do të tregojnë me votë qëndrimin e tyre në 21 qershor, ndërsa shtoi se ata nuk presin më asgjë nga Basha.

“Lulzim Basha do të hyjë në historinë e Tiranës si kryebashkiaku me më shumë premtime të pambajtura. Lista është aq e gjatë sa ç’është absurd pretendimi i zëdhënëseve të PD për vizionin e Lulit për kryeqytetin. Premtoi se Tirana do të ishte një nga qytetet më të pastra në Europë dhe se ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por do te përpunohen.

Në 4 vjet nuk ka bërë absolutisht asgjë. Asnjë projekt, asnjë projekt ide, asnjë studim se për investime as që bëhet fjalë. Asnjë fjalë për ndonjë impiant përpunimi të ujërave të zeza dhe zgjidhjen e kësaj situate. Jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin për Lumin e Tiranës, por ka lënë edhe Lanën të katandiset në një ambient të pisët publik, që bën me turp çdo qytetar të Tiranës dhe na bën me turp si vend përpara çdo të huaji që viziton sot kryeqytetin.

Qytetarët natyrisht nuk presin më zgjidhje nga Luli. E tanimë e kanë të qartë që Luli s’ka as guximin e qytetarinë që të dalë t’u shpjegojë se çfarë ka bërë për Tiranën. Zgjidhja e këtyre problemeve prej të cilave vuan sot kryeqyteti do të vijë pas 21 qershorit kur Tirana të rikthehet në drejtimin e duhur”, tha Bushati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb