LONDER-Presidenti estonez, Toomas Hendrik Ilves kërkoi një prani të përhershme të trupave luftarakë të NATO-s në vendet balltike, shqetësuar nga manovrat ushtarake ruse në kufi dhe konflikti ukrainas, në një intervistë të dhënë për të përditshmen ”Telegraph”.

Pushtimi i Krimesë nga Rusia dhe mbështetja e Moskës për separatistët prorusë në lindje të Ukrainës kanë shqetësuar thellësisht Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, bërë në vitin 2004 anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s pas një gjysmë shekulli pushtimi sovjetik deri në fillim të viteve 1990.

“Ne kemi parë një rritje spektakolare të fluturimeve ushtarake dhe kemi konstatuar manovra ushtarake të përmasave të mëdha në kufirin tonë”, konfirmoi presidenti estonez në të përditshmen britanike duke kërkuar vendosjen e përhershme e të paktën një brigade të NATO-s në vendet balltike.

Rreth 150 trupa të aleancës transatlantike janë vendosur aktualisht në Estoni, por në mënyrë përkohshme sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes Rusisë dhe NATO-s në vitin 1997 që ndalon vendosjen e përhershme të trupave.

“150 trupa, nuk janë të mjaftueshëm. Ne mendojmë se do të ishte e arsyeshme për të vendosur më shumë”, theksoi presidenti estonez duke nënvizuar se mjedisi i sigurisë ishte vlerësuar që prej vitit 1997.

Për t’iu përgjigjur shqetësimeve të fqinjve të Rusisë, NATO ka riforcuar kapacitetin në Evropën Lindore. Ajo ka vendosur për tre muaj në mars 3 000 ushtarë amerikanë në vendet balltike, ka riforcuar mbrojtjen në krahun lindor me krijimin e një force të re prej 5 000 trupash dhe ka vendosur të krijojë një qendër komandimi në Bullgari.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb