NGA ETHEM FEZOLLARI*

Mbas tre ditë gjykimi ushtarak me dyer të mbyllura, vendimi u mor me pushkatim. Në atë kohë babai kishte thirrur: Partia të rrojë, poshtë tradhëtarët dhe spiunët. Babës nuk ju dha e drejta të apelojë në Kuvendin Popullor, si pasojë, në datën 12 gusht 1949, i lidhur kokë e këmbë, e futën në një xhip dhe e çuan tek Lumi i Trahanit, pranë Gurit të Kuq, për ta pushkatuar. Ja kishin zgjidhur duart, por jo këmbët. I dhanë një kazmë e një lopatë që të hapte varrin vetë. Rreth orës 12 të natës, varri ishte gati në mbarim, kur, për fat të mirë, Mehmet Shehu, ministri i brendshëm në atë kohë, bashkë me ekskortën e tij, shkonte në front të luftës, pasi ishte periudha e provokacioneve të gushtit me Greqinë.

Kur pa xhipin që i kishte drejtuar dritat babës, teksa hapte varrin e tij, ndaloi dhe pyeti shoferin: Çfarë bëhet këtu? Shoferi i ishte përgjigjur se një armik do të pushkatohet shoku Ministër. Mehmeti kishte pyetur përsëri: Po kush është ky armik? Shoferi i ishte përgjigjur: Është një Haki i gjatë nga Pogradeci. Mehmetit i ishte kujtuar emri dhe nofka pasi babi ashtu njihej. Mehmeti thirri oficerin e pushkatimit, Selman Vishocica dhe kërkoi t’i afrohet babës. Më pas bashkë me Selmanin shkuan te baba. Mehmet Shehu sa e pa e njohu dhe i tha: More Haki, po deri këtu e ke bërë veten sa të hapësh varrin me dorën tënde; le gjakun e shokëve po dhe gjakun tënd paske shkelur. E tha këtë pasi e dinte se babai ishte plagosur në luftë. Babai i ishte përgjigjur: As gjakun tim, as të shokëve nuk e kam shkelur, e kanë shkelur ata që më kanë sjellë mua këtu. Kur dëgjoi këto fjalë Mehmeti i dha urdhër prokurorit që ishte aty, që sipas ligjit t’ja zgjidhte këmbët. Dha urdhër të lihet i lirë derisa Mehmeti të kthehej në Tiranë dhe të shihte dosjen.

Ti do të shkosh në shtëpi, se i tillë është urdhëri, por më kusht që të mos i tregosh askujt në lidhje me urdhërin e shokut Mehmet. Atë natë baba përfundoi në Jugosllavi.
U nisëm të shoqëruar nga policia dhe mbas 6 orë udhëtimi arritëm në një kamp, ku më parë qëndronin robërit gjermanë, në afërsi të universitetit të sotëm Bujqësor. Pasi na regjistruan, u futëm brenda, por ç’të shikoje, një Mathausen i dytë. Burgu i rrethuar, me bunker dhe policë që ruanin me armë në dorë. Kushdo që tentonte të ikte hante plumbin në ballë. Të rriturit, burra dhe gra, i vinin në rresht dhe dërgoheshin të hapnin toka të reja. Gratë me fëmijë mbanin gjithë ditën ujë nga lumi Erzen, për nevojat e kuzhinës dhe të kampit. Kampi ishte me tulla. Stallë e gjatë 60 m, pa ndarje brenda, me dy kate për të fjetur. Familjet që s’kishin fëmijë flinin lart, ndërsa ato me fëmijë flinin poshtë. Çdo familje kishte 4 m katrore vend. Krevatet ishin të ndërtuar prej lisi të hollë sa dora. Kur ishin montuar drutë kishin qenë të njomë dhe me kalimin e kohës ishin tharë dhe lëkura ishte ndarë nga druri. Hapësirat e krijuara ishin mbushur me tartabiqe, të cilat kur ngrysej dhe njerëzit binin të flinin, dilnin dhe iu pinin gjakun. Për morrat dhe pleshtat as bëhej fjalë se sa kishte. Racioni i bukës 400 gr prej misri të mykur, gjella vetëm fasule, lakra, presh, vetëm me kripë, pa yndyrë. Nga puna e rëndë, ushqimi i pakët dhe parazitët vdisnin nga 4-5 vetë në ditë. Për ato 3 vjet që ne ndenjtëm atje, u bënë mijëra të vdekur, aq sa nuk kishte më vend varrimi brenda kampit. Numri i të internuarve në kamp nuk ndryshonte, se ata që vdisnin, zëvendësoheshin me të internuar të tjerë. Ne kishim fatin e madh se asnjëherë nuk hëngrëm gjellën e kampit. Gjyshi, babai i nënës, na vizitonte çdo muaj dhe na furnizonte me ushqime. Ndërsa për të fjetur nëna kishte qepur 5 thasë prej pëlhure. Hynim brenda në to. Kishim lënë nga një vrimë për të marrë frymë. Në këto kushte ne shpëtuam. Ndërsa ata që nuk kishin ndihmë nga jashtë lanë gjysmën e familjes të vdekur në kamp.

Kështu u bë, ishte ora 2 mbasdite, hyra në shtëpi dhe gjeta Mersinin e Zykos. Pasi i salutova kërkova nga mami drekë, që e mbaj mend edhe sot ishte paçe me oriz. Hëngrëm bukë dhe po çlodhesha, kur papritur nëna më bëri një propozim: Ethem afrohu këtu se do të të them diçka. Në sy të Mersinit më tha: “Ne kemi vendosur të arratisemi si familje, me ne do të vijë dhe Mersini, se ka armë, e si do që të vejë puna, na mbron. Feridoni rrezikon të futet në burg për çështjen e furrës.” Kur dëgjova këto fjalë nga goja e nënës u mërzita dhe i thashë: “Ja ku është kufiri ikni. Ç’t’ju bëj që ju kam nënë dhe vëlla, se që tani shkoj dhe ju denoncoj. Nëse bëni këtë veprim mos më thoni se unë shkoj në polici.” Reagimi i nënës dhe Feridonit ishte i ashpër, kurse spiunit Mersin nuk i bënë fare përshtypje fjalët e mia. Ndenji edhe pak dhe iku, se ishte nëntor dhe ngrysej shpejt. Sapo u largua i mallkuari iu drejtova nënës dhe tim vëllai: ” Ky spiun do t’ju djegë me benzinë more, ç’na bëni kështu.” Im vëlla m’u përgjigj: “Ik more frikacak.” S’i kisha mbushur as 17 vjet, isha i detyruar t’a mbyllja muhabetin. Ika në punë. Punoja si ndihmës kuzhinier në restorantin e Kiço Troçi

ARRATISJA JONË
“Çfarë kërkoni të bëni ju mor të paudhë, që i kini ngjarë atij të mallkuarit që iku dhe më la me katër fëmijë?” Ashtu kërkoni t’i lini edhe ju? Nuk keni një çikë turp, pale gjynah, t’i lini fëmijët nëpër duart e botës dhe gratë t’jua përdhunojë bota? Po mua që kam 26 vjet që vuaj, sepse i hante kurrizi tët eti… e fliste pa i vënë fre gojës. Ju mallkoj, që kurrë mos bëni hajër. Merrni një thikë dhe na vrisni ne të gjithë. Është më mirë, sesa të na lini në duart e kuçedrës. Ose gjeni një mënyrë tjetër të ikim të gjithë dhe mos na lini si qyqe, vetëm. I thoshte këto fjalë duke qarë me kujë. Kur e pashë nënën me lot në sy, mu duk sikur po i bëja atentat. Menjëherë i thashë tim vëllai aty dhe Feridonit që ishte brenda, se kjo punë nuk bëhej, ose do iknim të gjithë ose do vdisnim të gjithë. Ishte diskutuar ideja e varkës, por hasnim në vështirësi, se ishim 16 vetë.

Formula u gjet. Ishte fillim qershori i vitit 1975, e vetmja mënyrë ishte të reduktonim numrin e pjesëtarëve të familjes. Unë isha i pari që duhet të sakrifikoja gruan dhe djalin, i dyti ishte im vëlla, Beshiri që do sakrifikonte dhe 2 fëmijë të mitur, dy vjet e gjysmë dhe 9 muaj. Kështu që duke sakrifikuar 5 veta, në bazë të kalkulimit me ligjin e Arkimedit që ishte bërë, mjaftonte një varkë primitive, por e punuar me kujdes.

Çdo mbrëmje, dilnim jo më nga pazari, por mbi fortesën e parë dhe vrojtonim lëvizjen dhe kohën kur bëhej patrullimi i bregut të liqenit nga ushtarët. E siguruam edhe këtë, ushtarët dilnin çdo herë rreth orës 10. Nuk shkonin më larg se te fortesa e parë dhe herë ishin 2 veta si patrullë, herë 3.

VARKA DHE ARRATISJA
Ishte data 2 Korrik, dukej një ditë normale, mbasdite unë dhe Beshiri i transportuam në barçë të gjitha pjesët e varkës, përfshirë dhe mushamanë, të cilën e kishim futur në një thes. Për fat të keq atë natë e thërriste Feridonin operativi, në orën 9 në mbrëmje. Po të mos vinte ishte shumë e rrezikshme, u vendos të paraqitej, dhe t’i premtonte se kishte rënë në bisedë me një person, prej të cilit priste shumë informacione.

Ky ishte një nga Oparakët, një spiun emrin e cilit nuk dëshiroj ta përmend. U kthye Feridoni në shtëpi, ishte ora 10 e gjysmë e mbrëmjes. Ne ishim gati të niseshim. E pyeta se çfarë i tha operativi, m’u përgjigj si ngahera, kërkon me çdo kusht informacion, por këtë radhë do marrë lajmin e hidhur të ikjes sonë. Të katër shkuam në barçë, unë mora gjithë pjesët e shkurtra të varkës, duke përfshirë dhe tërë lopatat. Beshiri mori pjesët e gjata të krahëve të varkës, gruaja mori mushamanë dhe Bami mori fundin e varkës që ishte ndërtuar prej dërrase. U nisëm jo rrugës drejt, por nga vendi i quajtur Katunishte, dolëm në rrugën që shkon në kabash, kaluam vendin që i thonë Baruthanë dhe dolëm në rrugën e Mokrës, që i thonë Liskovec. U drejtuam djathtas dhe hymë mbrapa kalasë. Për fat të mirë nuk kishte as tela, as gardhe, pasi kalaja në atë kohë ishte bërë si fermë shtetërore dhe i kishte zhdukur gardhet dhe telat. Në orën 1 mbas mesnate arritëm te vendi ku do të fshiheshin pjesët e çmontuara të varkës. Pasi i mbuluam me ca driza, vendosëm që Beshiri me Bamin të qëndronin aty, që sido të ishte puna, nëse kalonte dikush dhe i shihte, ata do bënin çmos të evitonin zbulimin duke përdorur mënyra të ndryshme, sipas situatës. Shanset e zbulimit ishin shumë të pakta. Unë me gruan ikëm jo rrugës anës liqenit, por i ramë mbrapa kalasë, te kasollja e Mitrit, te banesat vullnetare, kaluam lumin te hotel Mokra dhe shkuam drejt në shtëpi. Nëna, Feridoni nuk kishin rënë të flinin, u gëzuan shumë kur ne u dhamë lajmin se çdo gjë kishte shkuar për mrekulli, me përjashtim të gruas, se e goditi Beshiri pa dashje me dërrasat e gjata. Ata i vunë rëndësi, por gjendjen e qetësova unë duke thënë se dasmë pa mish nuk ka. Biem të flemë, isha aq i lodhur sa mezi po qëndroja në këmbë.

Kishte kaluar ora 2 e natës, sa rashë më zuri gjumi. Pashë një ëndërr, sikur isha te guri ku lëshuam varkën, e shikoja nga Maqedonia. Mu bënë një palë krahë dhe fluturoja tek kaloja matanë liqenit, por kisha qenë i lidhur me një llastik në bel, fluturova deri në mes të liqenit dhe llastiku më solli mbrapsht te guri, mora prapë fuqi dhe fluturova, por këtë herë u këput llastiku dhe qëndrova në anën tjetër të liqenit, nga ana e Maqedonisë. Kur shtie sytë nga Pogradeci, ishte katran i zi, ndërsa nga ana e Maqedonisë ishte diell, lule gjithë vendi. U zgjova menjëherë, e zgjova gruan dhe ja tregova ëndrrën, ishte ora pesë e mëngjesit. Ishte gdhirë dhe nuk më zinte gjumi. U ngrita dhe vajta në guzhinë. Aty më pa nëna e cila nuk kishte fjetur fare dhe më pyeti: “Pse bir u ngrite kaq shpejt, ti sa re të flesh”? I thashë Mami, se në fakt unë kështu i thërrisja ngahera, pashë një ëndërr të çuditshme dhe ja tregova. Ajo si besimtare që ishte, menjëherë më tha: “Myzhdenë bir, ne kësaj pune që i kemi hyrë, do të dalë me sukses”. Të lumtë goja mami i thashë. U ngrit gruaja na bëri nga një kafe, u ngrit dhe Feridoni me të shoqen dhe po komentonin se si shkoi rrugëtimi, meqë fëmijët akoma flinin. Ishte ora 6 e gjysmë, koha që unë shkoja në punë çdo mëngjes, thërrisja dhe burrin e motrës Lytfiun, bënim muhabet se punët i kishim afër njëri me tjetrin. Këtë mëngjes unë nuk shkova si zakonisht, por shkova me qëllim, t’i merrja Lytfiut leje për time motër, se gjoja atë mbrëmje do të shkonim në dasmë në Mëmëlisht te çupa e xhaxhit të nënës, se gjoja martonte vajzën dhe ime motër kishte qef të vejë me gjithë fëmijë. E ftova se mund të vish edhe ti po të duash, duke e ditur se Lytfiu i kishte zët dasmat. Lytfiu menjëherë mu përgjigj, gruaja le të vijë me gjithë fëmijë, por unë nuk vij, nuk i njoh fare ata njerëz.

Arsyeja e kësaj përqindjeje ishte se askush nuk e kishte provuar të kalonte liqenin në atë zonë ku kaluam ne. Ne gjetëm shtegun më të pambrojtur. I vetmi rrezik aty ishte prozhektori, i cili kishte kohë që ishte fikur. Mora çantën bashkë me byrekun dhe me dy shishe me ujë dhe shkova te vendi ku ishte fshehur varka. Pashë që Beshiri me Bamin e kishin mbuluar varkën me shkurre e ishte bërë totalisht e padukshme, por vura re dy fytyra të zbehta dhe të lodhura nga pagjumësia, aq shumë, sa edhe bukë nuk u hahej. U mundova t’ju jap kurajo duke u treguar ëndrrën që pashë, kohën e mrekullueshme si dhe liqenin që flinte i qetë pa dallgë. Ndenja me ta gati dy orë, sigurisht të fshehur nën shkurre.

NISJA
Ishte ora 10 e natës, varka ishte gati, po prisnim të kalonte ora 10, që të siguroheshim që koha e patrullimit kishte kaluar.
Filloi lundrimi, vajza e Beshirit që nga momenti që u rrëzua e ëma tek zbriste nga mali për të hipur në varkë ishte nervoze. Ajo u bë sebep që u diktuam nga personat me biçikletë dhe ndaluan, gati u bë zbulimi i ikjes tonë. Nëse ata do ta kuptonin që ne po arratiseshim, me siguri që do lajmëronin policinë. Por Zoti kishte vendosur ndryshe. Varka vazhdonte lundrimin. E vetmja gjë që na pengonte ishin dallgët e lehta të krivecit që lëviznin në krah të kundërt të drejtimit tonë. Orientimi ishte nga fshati i Maqedonisë Peshtan, i cili natën ndriste si vullkan dhe na jepte mundësinë të orientoheshim. Kishim kaluar rreth 3 orë udhëtim. I shihnim dritat e Pogradecit, të cilat jo vetëm ishin të rralla, por edhe të venitura në krahasim me ato të Maqedonisë. Kjo na ndihmonte të mos humbisnim drejtimin nga errësira. Vazhdonte lundrimi, fëmijët flinin, me përjashtim të vajzës së Beshirit që akoma vazhdonte të qante, jo vetëm se ishte vrarë kur e jëma e rrëzoi, por ishte enjtur dhe nxirë në fytyrë, nga të mbajturit e gojës me dorë. Të gjithë ne të mëdhenjtë bënim muhabet të lirë, komentonim organizimin e mirë, por edhe gabimet që bëmë gjatë ikjes, sidomos kunata që hipi në varkë, kur ishte akoma në anë me gurë. Kjo bëri që të grisej një mushama.

Ishte ora 4 e mëngjesit. Varka lundronte në drejtim të lindjes së diellit, në Mal të Thatë dukej sikur po gdhihej. Nuk kaloi shumë kohë dhe doli Hëna dhe e bëri ditë, dukej jo vetëm Shën Naumi, por edhe godina e kufirit nga ana jonë. Na hyri frika se mos na shohin. Ishim të sigurtë se nuk e kishim kaluar kufirin ende. Edhe pse duart na lëshonin gjak nga lopatat, filluam të shtojmë shpejtësinë, duke iu dhënë lopatave më shpejt. Nuk shkoi as 10 min, kur u shfaq një re e vogël, por shumë e zezë. Kjo e mbuloi Hënën totalisht. Qëndroi derisa u gëdhi. Dikujt mund t’i dukej e pabesueshme, por është realitet që reja e bëri pamjen si më parë të errët. Vazhdonim lundrimin.

ARRITJA
Doli dielli, ora rreth 6 e 30 e mëngjesit, data 4 Korrik. Një ditë e mrekullueshme, e stolisur me gjithë të mirat e një dite korriku. Tek-tuk shihnim motoskafë që çanin ujin me shpejtësi. Kishim edhe rreth 3 km që të arrinim në breg. Na dukej më afër fusha e Lubanishtit, një fshat afër Shën Naumit. E anulluam destinacionin e mëparshëm, që duhej të shkonim në fshatin Peshtan, dhe vendosëm të lëvizim drejt Lubanishtit.
Arritëm në breg. Ishte ora 8 e mëngjesit. Kishte tek-tuk ndonjë turist, por askush nuk u interesua se kush ishim ne. Varka takoi në rërë. Filluam të zbresim, po përqafoheshim të gjithë për suksesin, por më shumë përqafuam nënën. Ju mblodhëm të gjithë anembanë si zogjtë rreth thëllëzës, dhe pa pushim e puthnim dhe e merrnim në krahë atë heroinë, që për 26 vjet përballoi terrorin komunist dhe më në fund ishte po ajo, që nuk lejoi ikjen e djemve të saj, por zgjodhi vdekjen ose lirinë e të gjithëve si familje.

Vjen shefi i madh i policisë bashkë me dy polica dhe me përkthyes Avniun. Shefi pasi na dha dorën, i tha Avniut qetë të na prezantonte. Fjalën e mori Feridoni. I tha shefit se jemi 16 vetë të një familjeje, nëna, tre vëllezër, motra, tri gratë tona dhe 8 fëmijët. Nëpërmjet përkthyesit, shefi na tha “mendoj se jeni shumë të lodhur, mos u mërzitni se tani jeni në dorën e shtetit. Gratë dhe fëmijët do të shkojnë në hotel, kurse ju të tre vëllezër do të qëndroni nja tri ditë këtu, sa të marrin informacion nga Beogradi. “Pasi i falenderuam ata u larguan duke marrë me vete gratë dhe fëmijët, të cilët vërtet i kishin çuar në një hotel turistik, që quhej Hotel Andon Dukov.

TAKIMI ME BABAIN
Erdhi e hëna, mezi po i shtynim orët, duke ditur që baba vinte atë mbrëmje në Ohër. Për fat të keq avioni ishte vonuar në Beograd. Kishte mbërritur rreth orës 9 në mbrëmje. Kjo bëri që ne të mos kuptonim dot që atë natë, nëse baba kishte ardhur apo jo. Gjithë natën ndenjëm në merak. Që në mëngjes vjen Avniu dhe na njoftoi se baba kishte ardhur, sot do të vijë t’ju takojë, prandaj bëhuni gati. U veshëm me teshat e reja që na sollën njerëzit tanë dhe dajë Mustafai. Mezi po prisnim ta takonim mbas 26 vjetësh. Vetëm Feridoni e mbante mend. Ne tre të tjerët, ishim vetëm 4 vjeç, 2 vjeç dhe Beshiri 6 muajsh. Baba kishte ardhur në polici që në orën 9 në mëngjes. Kishte takuar kryetarin e policisë Riston dhe i kishte kërkuar takim special me ne, që të na takonte një nga një në një zyrë, se nga gëzimi mund t’i binte të fikët. Risto kishte pranuar që takimi të bëhej në zyrën e tij. Ora 10 e mëngjesit. Vjen një gardian dhe të parin thërriti Feridonin. Kur ishin takuar me babën, atij gati i kishte rënë të fikët nga gëzimi. Pasi u çmallosën të dy rreth një orë, vjen Feridoni në dhomë i gëzuar me një paketë cigare Marlboro, të cilën ne kurrë nuk e kishim parë me sy. I dyti shkova unë, hyra brenda në zyrë dhe pashë një burrë të gjatë, të veshur me finesë e që në pamje të parë të linte përshtypjen, sikur shkoje në zyrë të kryetarit të degës së punëve të brendshme. Ndryshimi ishte se nga ai kolltuk u ngrit në këmbë një burrë i përlotur nga gëzimi, që shihte mbas 26 vjetëve fëmijën e vet, që e kishte lënë vetëm 4 vjeç dhe e gjeti burrë të martuar 30 vjeç. I pari foli baba:- Ti je Ethemi?- Po unë jam i tëri,- i thashë.- O bir më qënke bërë burrë, dhe me ata krahë të gjatë, më pushtoi dhe më puthi pa pushim. Lotët e tij më lagën fytyrën.

Firmosëm dhe lirimin dhe ecmë të lirë në drejtim të turmës që na priste. Po kush na priste? E para ishte nëna, të cilën nuk e lanë as atë as pjesëtarët e tjerë të familjes të na shihnin në burg. Nëna u vërsul e para. Na foli dhe na tha “O bijtë e mij, o trimat e nënës”, duke qarë nga gëzimi. Ne të tre vëllezër e ngritëm nënën lart, ku e kishte marrë edhe televizioni i Shkupit, ajo pamje qarkulloi në të gjithë Jugosllavinë.

(m.k/GSHBalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb