Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera shpjegon detajet të propozimit të Financave për “amnistinë” që pritet të kalojë në qeveri dhe i fal 28 mld lekë biznesit.

Do të falen tatimet, interesat dhe gjobat e para vitit 2010, ndërsa nga viti 2011 deri në 2014-ën do të falen vetëm kamatat e gjobat dhe duhet të paguhen të plota taksat. Skema është shpjeguar në emisionin “Të bësh ekonomi” të gazetares Vjollca Kongjoni në News24.

Falja që pritet të miratohet në qeveri janë edhe “supergjobat” që u vunë në kohën e aksionit “anti-informalitet.

“Jemi në fazën e shqyrtimit të projektit nga ministritë e linjës. Ministria e Financave ka përgatitur dhe diskutuar edhe me FMN-në, për të lançuar një sistem që stimulon pagesën e detyrimeve tatimore përmes heqjes së gjobave ose kamatave dhe fshirjen e detyrimeve të para 7 viteve. Ideja për të lançuar këtë projekt ka qenë jo e këtij viti, por e vitit 2016. U diskutua gjerësisht dhe u panë disa variante e opsione dhe u zgjodh më e mira. Kjo u pa si një paketë me masa të tjera, që janë në funksion të mbledhjes së detyrimeve tatimore, duke ecur me moton që tatimet duhet të jenë kreditori i parë që duhet të trokasë në derën e bizneseve. Ligji i 2011-shit ishte 90% amnisti, ndërsa kjo e tanishmja nuk është amnisti. Ky draft thotë se detyrimet, interes- gjoba para 2010 do të fshihen”, – tha Lera.

Kreu i “Biznes Albania” vlerëson projektin e qeverisë. “Nuk dua ta vë në kontekstin kohor vendimin e Ministrisë së Financave, ne e kemi mbështetur këtë projekt, sepse pjesa më e madhe e tyre ka qenë pjesë e gjobave të padrejta. Ato janë ankimuar nga biznesi dhe janë zvarritur në gjykata. Mendoj se janë gjoba të padrejta, vendosur biznesit gjatë këtyre viteve. Falen detyrimet deri në 2010 dhe falen gjoba pas këtij viti, të cilat janë vendosur padrejtësisht. Ky projekt nxit biznesin që të shlyejë detyrimet ndaj shtetit, ka edhe pjesën edukative dhe shlyerjen e detyrimeve që biznesi ka ndaj shtetit”, – tha Luan Bregasi.

“Ka rëndësi koha kur bëhet. Këtë vit ishte amnistia në burgje, rritja e rrogave dhe këto kanë lidhje me fushatën. Ligji ka brenda tij edhe komponentë të amnistisë fiskale dhe kjo i bie të jetë amnistia e tretë nga 2014-2016. Koncepti amnisti e ka humbur kuptimin, unë mendoj se dekurajohet biznesi i ndershëm, sepse mendon se një ditë do të vijë një qeverisë që i duhet vota dhe do të falen. FMN ka ndjerë tendencën se administrata tatimore do të ribëjë disa herë amnisti. Për mua kjo është një skemë që prodhon vota”, – tha Dritan Shano, koordinator kombëtar në PD.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa shprehet kundër çdo lloj amnistie për dy arsye.
“Çdo dy-tri vite ne kemi një debat për të bërë një amnisti dhe fshirje detyrimesh fiskale dhe këto janë bërë që në nga 1993. Debatet për amnistinë janë bërë periodike dhe më seriozi u bë në vitin 2011, kur PD kërkoi konsensusin e opozitës për një falje të madhe, e cila ndiqet edhe në vende të tjera. Vende si Shqipëria kanë arsye për të bërë amnisti, pasi jemi një vend në tranzicion, që ka ekzagjerime të administratës për shkak se si është ndërtuar. Unë jam kundër. Argumenti i parë është moral, sepse ne përcjellin model të keq tek ai që është i rregullt dhe paguan taksat, kredinë. Ndërsa në lidhje me vlerësimet e padrejta, punonjësi i administratës duhet të mbajë përgjegjësi. Në radhë të parë, duhet t’i bëjmë institucionet të funksionojnë, jo mbështetemi tek amnistinë. Nuk mund të them nëse është bërë në mënyrë të ndërgjegjshme për fushatë, por kjo siguron vota, duhet të jemi të sinqertë. Argumenti i dytë është ekonomik. Për amnistinë kam qenë kundër që në 2011-ën si profesionist, sepse si ekonomist them se efektet e saj janë zero. As depozitat nuk u shtuan pas investime”, – tha Selami Xhapa.

(or.ma/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb