Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, një eksponent i vendosur i së majtës shqiptare, nuk sheh në horizont një bashkëqeverisje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Klosi shprehet se nuk përjashton një bashkëpunim mes PS-së dhe LSI-së në një të ardhme jo të largët. Fakti që PS-ja është në qeveri dhe LSI-ja në opozitë, për Fatos Klosin duhet parë dhe si një mundësi gare dhe konkurrence se cila nga dy partitë e majta do të përfaqësojë më mirë elektoratin që i voton me programe dhe politika sociale të majta. Fitorja e PS-së më 25 qershor, sipas tij ishte e paparashikueshme në atë masë, por ai vlerëson zgjedhjen që ka bërë elektorati ku ka parë Edi Ramën si Kryeministrin më bindës që mund të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.

Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, e majta shqiptare është sërish e ndarë, PS në pushtet dhe LSI në opozitë, ndërkohë që nga të dy bashkëkryetarët, koalicioni katërvjeçar qeverisës është konsideruar i suksesshëm në kryerjen e disa reformave. Si e shihni këtë ndarje të re të së majtës?

Në pikëpamjet e tyre për qeverisjen unë nuk shoh ndonjë ndarje, është po ai pozicion që ata kanë pasur kur ishin bashkë. Ndarja kishte ndodhur që para se të bëheshin votimet, mesa duket të dyja palët u treguan të guximshme dhe panë se mund të bëjnë dhe pa njëra-tjetrën, Kryeministri bëri atë që kërkoi dhe jemi këtu. Por që të ketë ndonjë ndryshim të madh, unë nuk shoh tek asnjëra prej palëve, ndonjë koncept ndryshe për drejtimin e vendit, për reformat, ekonominë etj. Gjërat janë siç kanë qenë, kështu që ndarja është më shumë midis shefave, sesa një ndarje e mirëfilltë. Ashtu siç u ndanë, nuk do të çuditesha që me një marrëveshje të bashkoheshin prapë.

Kjo ndarje, e bën të majtën më konkurruese dhe mes saj?
Unë them që po. Mund të jetë dhe një faktor pozitiv. Duke qenë të dyja partitë të majta, të rrjedhura nga e njëjta parti, unë nuk shoh ndonjë ndarje të vërtetë. Më shumë ndarje të përkohshme, të lidhur me interesa të vogla, por mund të jetë dhe pozitive.

Në ç’kuptim?
Mund të kemi një konkurrencë mes PS-së në qeveri dhe LSI-së në opozitë, cila përfaqëson më mirë të majtën, me programe e politika. Në këtë këndvështrim, kjo konkurrencë mund t’u bëjë mirë të dyja partive. Sigurisht që PS sot është goxha e fuqishme, drejton e vetme, i ka të gjitha mundësitë që të tregojë se di të qeverisë, ndërkohë që LSI-ja, duke qenë në opozitë, e ka më të vështirë me PS-në, sepse duke i bërë opozitë një programi, që unë do ta quaja të mirë dhe të arsyeshëm, do ta vërë veten në siklet. Nëse kundërshtimi do të jetë linjë themelore e opozicionit të saj, do të jetë gabim, nëse opozicioni i saj do të jetë për çështje themelore dhe do tregojë dhe alternativa, kjo do t’i bëjë mirë edhe vetë LSI-së.

Mund të krijojë ngërç ky trinom i së majtës, Edi Rama Kryeministër, Ilir Meta President dhe LSI me Monika Kryemadhin kryetare në rol kryesor opozitar?
Unë mendoj se gjërat do të shkojnë në kuadër të asaj që thashë më lart. Monika vërtet është luftarake, grua e zonja, por nuk ka çfarë të bëjë më shumë se opozitë dhe opozita fjalën ka në dorë. Situatën në dorë e ka PS-ja, nëse ajo do të ketë një program të mirë qeverisës, për mbarimin e reformave, sepse nuk mund të zgjaten më. Problem është ekonomia, por qeveria nuk ka shumë gjëra në dorë për ekonominë, sepse ka filozofinë e saj, matematikën e saj. Ekonomia shqiptare është pjesë e ekonomisë rajonale dhe dy vendet kryesore, si Italia dhe Greqia, nuk janë mirë, kjo sjell ndikim edhe në ekonominë shqiptare.

Si e shikoni vendimin e fundit të Samitit të Triestes për të krijuar këtë zonë rajonale ekonomike për vendet e Ballkanit?
Ne jemi pjesë e rajonit jo vetëm gjeografikisht, por dhe në shkëmbimet tregtare. Unë di që me Serbinë kemi shumë shkëmbime tregtare, Kosova edhe më shumë, prandaj nuk e shoh ndonjë propozim keqdashës. Nëse ne do të arrijmë të krijojmë një bashkim të vogël europian, do të tregojmë se jemi më të përgatitur për t’u futur në Bashkimin e madh Europian. Ballkani ka pasur problem të vazhdueshëm konfliktin mes vendeve dhe nëse po vonohemi, kjo ndodh sepse jemi në konflikt me njëri-tjetrin dhe këtë konflikt do ta merrnim me vete në BE. Me këtë lëvizje, BE synon që konflikti të shuhet para hyrjes së Ballkanit në Europë. Deklaratat për Jugosllavinë e re janë keqdashëse. Nuk shoh ndonjë sëkëlldi. Pastaj ne kokën mbi supe e kemi, nëse e shohim që kjo skemë bashkëveprimi mes vendeve nuk na intereson, mund të tërhiqemi.

Si e shikoni fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit, e parashikonit?
Jo, me thënë të drejtën nuk e parashikoja një fitore kaq të madhe.

Ishte një fitore jashtë logjikës?
Jo, nuk del jashtë logjike vendimi i popullit. Populli është shumë i matur. Unë kam logjikën time. Kur bëhet fjalë që të votojnë 1.5 milionë njerëz, atëherë duhet të përshtatem unë me atë logjikë dhe jo ta gjykoj popullin se si voton. Ka një fakt që në Shqipëri partitë personifikohen shumë me udhëheqësit dhe marrin fytyrën e liderit. Nga këta tre udhëheqës që janë në treg, për mua Edi Rama është më i kompletuari dhe meritonte më shumë vëmendje. Edi Rama bëri një fushatë të fortë, e personalizoi shumë fushatën, edhe dy të tjerët e personalizuan, por Edi Rama të paktën doli në fushatë duke ofruar reforma, ndryshimin e shtetit, ndoshta nuk bëri shumë premtime në ekonomi, duke e kuptuar se nuk është një armë e lehtë për t’u luajtur dhe iu përkushtua shumë marrëdhënies së qeverisë me qytetarin. Ndërkohë që Lulëzim Basha filloi të shesë disa shifra që nuk qëndronin gjëkundi. Ndërkohë që Iliri vijoi me stilin e LSI-së për fushatë, duke kontaktuar direkt me qytetarët dhe pati rezultat konkret, morën më shumë vota se zgjedhjet e kaluara. Edi u duk me më shumë këmbë në tokë, ishte më konkret, i prirur ndaj fenomeneve që prekin njerëzit.

Përpjekjen e Kryeministrit për të thithur qytetarët përmes platformave dixhitale në kontrollin e qeverisë, si e shikoni?
Për mua ajo është marketing. Qytetarët përfshihen në pushtet përmes votës dhe zgjedhjeve. Por, duke pasur këtë rezultat, Rama po vazhdon fushatën elektorale në njëfarë mënyre që të bindë njerëzit që kanë bërë mirë që e kanë votuar dhe unë do të jem afër jush me këto reforma, se po përpiqet pozitivisht që të bëjë një vlerësim të institucioneve për të ngritut një administratë dhe një shtet sa më efikas dhe më afër nevojave të popullit, që populli ta ndiejë se ia vlejti që votoi sërish Edi Ramën. Këto reforma nuk bëhen për katër vjet.

Pas marrëveshjes Rama-Basha, mendoni se mund të ketë një bashkëpunim edhe në qeverisje mes tyre?
Nuk besoj se do të ketë një bashkëqeverisje. Edhe Basha po shoh që e ka kuptuar se ajo marrëveshje i prishi punë dhe pas saj po kapen edhe kundërshtarët e tij në parti. Ndërkohë që edhe Ramës nuk i intereson. Kompromisi i 18 majit ishte i nevojshëm për vendin, sepse futi PD-në në zgjedhje. Ndoshta tani do të ishim duke bërë sherre për zgjedhjet. Nuk shoh të ketë interes nga asnjë palë që të ketë një bashkëpunim. Edhe Rama, nëse ka bërë ndonjë premtim, nuk e ka më të nevojshme. Më shumë besoj se mund të ketë një bashkëpunim PS-LSI, edhe pse Monika në krye të LSI-së është zgjedhur për të bërë opozitë të fortë, por gjërat ndryshojnë dhe gjithnjë duhen kuptuar momentet politike, sepse përndryshe del jashtë politikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: